Në vijim të vizitës së tij në Berat, Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistët e qytetit me fokus rritjen ekonomike në vend dhe përfitimet që ajo solli për këtë kategori.
Kryeministri theksoi se rritja e pensioneve është e lidhur drejtpërdrejt me forcimin e ekonomisë dhe konsolidimin e skemës së sigurimeve shoqërore.
Ai tha se vetëm përmes një ekonomie në rritje dhe rritjes së të ardhurave në buxhet është bërë e mundur hartimi i një plani financiar të qëndrueshëm për rritjen progresive të pensioneve.
Kryeministri bëri të ditur se skema e re parashikon rritje të përvitshme të garantuara në buxhet, duke siguruar që çdo rritje e realizuar të pasohet nga një rritje edhe më e madhe në vitet në vijim, çka përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit gradual të të ardhurave të pensionistëve.
Kryeministri u ndal edhe te mbështetja shtesë që qeveria ka ofruar për këtë kategori përmes bonuseve, që jepen në mënyrë të posaçme në periudha të caktuara dhe vijnë si shtesë mbi pensionin, duke plotësuar politikën e rritjes graduale të të ardhurave dhe forcimit të skemës së pensioneve.
Sipas Kryeministrit, ky mekanizëm është përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të rritur mbështetjen direkte ndaj pensionistëve, paralelisht me përmirësimet strukturore të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe rritjen e qëndrueshme të pensioneve.
“Gjatë qeverisjes sonë ne kemi disbursuar 600 milionë e 213 mijë euro, pra më shumë se gjysmë miliardi plus ekstra dhe natyrisht, e përsëris, nuk është për të thënë që “shiko sa shumë kemi bërë”, por për të thënë që e kemi pasur gjatë gjithë kohës këtë stres: si t’i mbështesim më shumë pensionistët brenda mundësive. Ne e kemi gjetur skemën me 510 mijë kontribuues dhe e kemi çuar në 870 mijë kontribuues dhe prandaj është forcuar skema falë kontributeve. ” – faktoi përmes shifrave Kryeministri Rama.










