Shërbimet online rrisin aksesin në shërbime të qytetarëve, kursejnë kohë, radhë pritjeje dhe orë pune. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, informoi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ofron prej muajit janar 2020, 97% të shërbimeve në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”.

Sipas Denajt, duke filluar nga data 30 qershor, DPT do të ofrojë edhe 13 pagesa elektronike për detyrimet tatimore të bizneseve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon angazhimin për të ofruar 94% të shërbimeve të saj online, deri në fund të vitit 2020.

Referuar statistikave, administrata tatimore ofron 11 shërbime online nëpërmjet “e-Albania”. Krahasur me periudhën janar-maj 2019 ku ofroheshin 89% e shërbimeve online, për periudhën janar-maj 2020 ofrohen 97% e shërbimeve. Respektivisht për këtë peiudhë është ulur në 3 numri i shërbimeve që ofrohen në sportel, kundrejt 11 të tillave që ofroheshin në janar-maj 2019. Lehtësitë e këtij shërbimi ka sjellë 103 mijë orë pune të kursyera, kundrejt 67 mijë orëve të kursyera në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.