Hamdi Jupe/

Dhe kështu mori fund me tym të bardhë maratona tre- vjeçare ec e ngec e negociatave të vështira pozitë – opozitë për reformën zgjedhopre. Kjo ndodhi në kapërcyell të 5 qershorit të vazhduesit në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë, në prani të palëve ndërkombëtare. Palët shqiptare u dakordëzuan, (gjithnjë në prani të ndërkombëtarëve) për kështu e ashtu etj. Ato u shprehëm përgjithësisht të kënaqura për atë që më së shumti kishin arritur. Palët bënë fajtore njëra – tjetrën për këtë e atë aspekt të marrëveshjes që nuk ishte bërë e mundur të arrihej etj.Deklarata e përbashkët e politikanëve shqiptarë u mundësua të bëhej e njohur nga shtypi afër mesnatës duke u gdhirë e shtuna dhe vetëm në gjuhën angleze, sepse nuk kishte kohë të përkthehej në shqip. Le që ajo ishte e rezervuar vetëm për përdorim të brendshëm. Ky dokument është vetëm për përdorim të drendshëm dhe nuk lejohet të publikohet në shqip.thoshte deklarata.Mirëpo, për dreq, gazetarët shqiptarë e dinë anglishten dhe i kuptuan sa thuhej në STATEMENT in sekret në gjuhën anglisht të palëve shqiptare. Lajmet e mira merren vesh. Ata e vodhën dokumentin sekret dhe e publikuan tëpkë origjinal në mediat e tyre, duke na dhënë mundësi të gajasemi me sekretet e tij.

Po çfarë doli konkretisht nga marrëveshja e fundit? U mbars mali e polli një mi. Lideri i opozitës Basha u shpreh: Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Çfarë fitoi konkretisht neto, pa zhurmën e fjalëve të mëdha opozita nga kjo marrëveshje? Fitoi tekun. Ajo mori premtimin  e mazhorancës për mundësinë e identifikimit biometrik të zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme. nuk është fort e qartë se për cilat zgjedhje të ardhshme bëhet fjalë, për ato të vitit 2021, apo ato të 2025-sës, megjithëse ka fjalë se në zgjedhjet e afërta pas një viti do bëhet vetëm 20 përqind e indentifikimit biometrik të bla, bla, bla -së, ndërsa në ato të tjerat, njëqind përqind.Opozita fitoi gjithashtu një kamerë televizive brenda qendrave të votimit dhe një zv/kryetar të KQZ pa të drejtë vote, për monitorimin e procesit të implementimit të identifikimit elektronik të votuesve. të na falë populli, nëse nuk i kupton dot fjalët e “mëdha” të përdorura në marrëveshje, po kështu e do puna Kaq fitoi opozita. E çuditur nga fakti se qeveria ia dha opozitës t’i marrë të gjitha çfarë donte ajo për zgjedhjet, opozita u kompleksua: Patjetër që ka një hile këtu, mendoi dhe prandaj zgjodhi të tërhiqej nga kërkesat e kahershme të saj për qeveri teknike tj.

Edhe “lideri historik Berisha ishte “përgjithësisht” i kënaqur me marrëveshjen, pavarësisht se kishte edhe ndonjë “rezervë” të vogël për të, në deklaratën shoqëruese të tij, menjëherë pas “suskesit” të arritur të Bashës. Ai nuk mund të mos e deklaronte mbështetjen edhe në këtë rast pa rezerva për beniaminin e tij në krye të PD-së me anë të një deklarate të posaçme. Në deklaratën e tij Berisha ishte i shqetësuar më tepër për deklaratën e Ramës me këtë rast sipas së cilës deklaratë, me marrëveshjen e fundit, mori fund edhe thirrja e përsëritur për revolucion e zotit Berisha, gjë që nuk është e vërtetë, siç u deklarua ky i fundit), megjithëse baruti i revolucinit ka marrë ujë nga të katër anët nga kjo marrëveshje.I kënaqur “jashtë mase” nga marrëveshja “historike” ishte edhe kryeministri Rama: Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: Mirë e kishim, ashtu siç e kishim.Po mirë. Unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata. Rama pra, është më i kënaqur se Basha për arritjen. E pse të mos jetë! “Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor, siç e deshën vetë”. Rama ka komoditetin t’i bëjë edhe elozhe fitores së opozitës: Marrëvjesha sipas tij “pas djegies së kohës, mandateve, bashkive, është një rikthim në realitet”.

Presidenti i Republikës është pjesërisht i kënaqur nga marrëveshja. Me sa duket, ai priste më shumë prej saj në favor të opozitës, kuptohet. OSBE është e kënaqur se kjo marrëveshje nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. Në mos pastë qar, nuk do ketë zarar nga marrëveshja, kjo kuptohet. Ajo pra e ka justifikuar bukën që ha për punën që bën lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri. BE është e kënaqur gjithashtu: Shqipëria s’ka më pikëpyetje dhe pengesa në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave për në BE. Zoti Soreca nuk mund të rrinte pa e përshëndetur gjithashtu me fjalë të zjarrta marrëveshjen.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu lumturinë e saj për marrëveshjen. Kjo ishte fitorja e parë e madhe e ambasadores së emëruar rishtazi në detyrën e vështirë diplomatike në token shqiptare.Mirëpresim marrëveshjen ndërpartiake për reformën zgjedhore në Shqipëri. Kjo marrëveshje është rezultat i orëve të gjata, diskutimeve të ndezura, si dhe vendimeve të vështira nga anëtarët e Këshillit Politik etj.” Ja dhe nga një furçë prej saj për dy liderët: “Përgëzojmë Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për udhëheqësinë e tyre. Shpëndahen fletë lavdërimi paraprake prej saj edhe për Presidentin e Republikës dhe kryetarin e Parlamentit, megjithëse këto institucione do të duhet të merren më vonë me ndryshimet në Kod. Përse të mos shpërndahen? Çfarë humbi ambasadorja prej tyre? Dhe kështu pra, të gjithë janë të lumtur.

Ka vetëm një element të papëlqyeshëm në fund të deklaratës: Te shënimet e saj ajo thekson:Nuk ka patur konsensus lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pra është diskutuar edhe ky problem kaq shumë i ngritur nga publiku, por nuk ka patur dëshirë për ta ndryshuar nga palët, kështu që është lënë ashtu siç ka qenë: deputetët do t’i zgjedhin kryetarët e dy partive, Rama e Basha dhe pastaj do t’i çojnë ato për ratifikim në popull. Ai do të thirret vetem formalisht të votojë listat që liderët e partive i kanë paraqitur. Të gjithë politikanët dhe diplomatët pra janë të lumtur nga marrëveshja, vetëm populli shqiptar mbeti atje ku ishte: në humbëtirën e politikës shterpë bipartiake që nuk të çon askund, veçse atje ku ka qenë.

E gjithë zhurma për të ashtuquajturin manipulim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 u bë e qartë me këtë marrëveshje se ishte tym për të justifikuar qëndrimin edhe më tej të Bashës në karrigen e kryetarit të opozitës, pas humbjes së zgjedhjeve prej Partisë Demokratike. Duhej një alibi për atë humbje dhe ajo u gjet: zgjedhjet janë manipuluar. U desh të braktisej parlamenti dhe pushteti lokal, të organizoheshin tre muaj protesta në bulevard etj dhe ja ku jemi: atje ku ishim.

Shumë baltë mbi zgjedhjet e popullit shqiptar dhe Shqipërinë është hedhur gjatë këtyre tre viteve qysh prej asaj kohe e deri më sot brenda dhe jashtë vendit. Tani njerëzit në PD e kanë harruar humbjen dhe prandaj nuk ka më neovjë të flitet për të. Kështu që të hyjmë në zgjedhje. Ne arritëm të bëjmë kauzë me identifikimin biometrik në 20 përqind të zgjedhësve, ashtu siç kemi bërë edhe kauza të tjera “të fituara” me bisht në shalë gjatë këtyre viteve. Fitore e madhe kjo për opozitën!Në fakt, zoti Basha personalisht ka fituar shumë sepse ai (si edhe Rama) do të ketë përsëri të drejtën të hartojë listat shumemërore të deputetëve të partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo nuk është pa përfitime. Edhe pse PD do të humbasë prapë, prej problemeve të shumta që do të hapë ky qëndrim i fundit i tij brenda vetë partisë, Basha vetë do të dalë i fituar. Për më tej ka kohë të mendohet. Tani për tani le t’i gëzohet “fitores” së radhës.Sa për Ramën, ai e ka të siguruar fitoren e tretë në zgjedhje, pse jo edhe më shumë dhe kjo është fitore në tavolinë përballë Bashës. Ia ka dhuruar ky i fundit për arsye që i di ai. Gëzuash Makbeth, Than i Kodrit, Gëzuash Rama, mbret e mbi mbretër! Ka vetëm një problem të vogël: A i ka mazhoranca tetëdhjetë e katër vota për të kaluar “pazarin” elektoaral të radhës në Parlament? Të shohim.