Mjaftoi një humbje përballë Teutës, e para nën drejtimin e Egbos, që rivalët e Tiranës, mbi të gjitha Kukësi, të besonin se bardheblutë janë një ekip normal, një skuadër që mund të thyhet, dhe se gara për titull është ende e hapur. Ky ishte thjeshtë një perceptim, më shumë një dëshirë, pasi kryeqytetasit reaguan shpejt, siguruan një fitore të pastër me “tripletë” golash në klasikën e futbollit shqiptar duke spostuar sërish presionin tek Kukësi. Kjo ishte një javë ku fitorja përballë Vllaznisë vlen më shumë se sa tre pikët, blofi i verilindorëve bëri që diferenca me kreun të shkoj sërish në 9-të pikë.
Titulli kthehet sërish në një ekuacion me vetëm një të panjohur, kur do të shpallet Tirana kampion? Përjashto ndonjë moment të dyshimtë, si prekja e topit me dorë nga Idi Batha, bardheblutë treguan superiorit ndaj Vllaznisë, Ngoo ishte njeriu i ndeshjes me një asist dhe një gol brenda 5 minuta, ndërsa Cale vrau sfidën me fillimin e pjesës së dytë, duke vërtetuar se Egbo ka në dispozicion një ekip me shumë klas.
Tiranës i mjaftojnë tashmë dy fitore në dy ndeshjet e radhës, kundër Skënderbeut në transfertë dhe më pas kundër Kukësit në kryeqytet, për të festuar matematikisht titullin kampion 4 javë përpara fundit, një skenar që mund dhe të shtyhet për javën pasuese teksa përballen me Partizanin në derbin e kryeqytetit, një skenar identik me një sezon më parë kur të kuqtë festuan titullin pikërisht në derbi, në shtëpinë e bardhebluve.