Në Tiranë u çel Edicioni III i Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit, ku artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës si, India, Italia, Kina, Turqia, Uruguai, Koreja e Jugut, Kosova etj, sjellin për artdashësit shqiptarë punimet më të mira. Ndryshe nga edicionet e kaluara, këtë vit festivali solli ekspozitën e vizatimit shqiptar, me punë nga artistë të njohur, duke bërë bashkë rreth 100 vepra nga 50 artistë shqiptarë. Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi shoqatën “VIZart” dhe kuratorin e festivalit, mjeshtrin e akuarelit, piktorin Helidon Haliti, për kontributin e çmuar në jetën artistike të kryeqytetit.
“Një bashki e mirë ndihmon me 30 mijë pako njerëzit në nevojë gjatë pandemisë, por është e zonja të sponsorizojë edhe një festival si ky, ku shfaqen mijëra vepra arti sepse duhet të kuptojmë se kemi nevojë të ushqejmë jo vetëm stomakun, por edhe zemrën, shpirtin dhe mendjen. Jam shumë krenar për Helidonin dhe faktin se pavarësisht pandemisë apo tërmetit, nëse ka përmbytje apo thatësirë, gjëja e bukur triumfon gjithmonë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se kjo ekspozitë është treguesi më i mirë se Tirana di të ngrihet pas çdo sfide. Duke e cilësuar Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit si dallëndyshen e parë të ringritjes, kryebashkiaku tha se ky moment është edhe një mundësi për të treguar më të mirën tonë.
“Mund të mos biem dakord për shumicën e gjërave, por kur vjen puna te vaksina e shpirtit dhe fakti se shumë galeri private, individë apo autorë kanë nxjerrë nga arkiva e tyre këto kryevepra për t’i sjellë në këtë ekspozitë, më bën të ndihem krenar që i shërbej një prej qyteteve më bujare në historinë e kombit tonë. Mezi pres që ky festival të jetë një nga dallëndyshet e para të ringritjes. Vërtet 100-vjetori i Tiranës na gjeti me sfida, por shpresoj shumë që do ta shohim si mundësi për të treguar më të mirën tonë”, theksoi Veliaj. Kuratori i këtij festivali, mjeshtri i akuarelit, piktori Helidon Haliti, nënvizoi se punët që prezantohen në këtë festival datojnë nga viti 2015.
“Kjo ekspozitë ka lindur me emocione të mëdha. Por, është një rrugëtim i cili nisi në vitin 2015, me bienalen e parë të Akuarelit në Tiranë dhe pati një vazhdimësi impresionuese, duke u përpjekur që çdo herë të sjellim risi, të kënaqim qytetin dhe të përfshijmë sa më shumë artistë”, tha Haliti. Ndër mjeshtrit e huaj dhe shqiptarë të akuarelit që marrin pjesë në këtë edicion me punët e tyre në Muzeun Historik Kombëtar janë Atanur Dogan, Hong Shan, Amit Kapoor, Alvaro Castagnet, Alexandra Bryska, Artur Semofolov, Helidon Haliti, Ormira Lulani etj.