Ish-kryetarja demokrate e parlamentit, Jozefina Topalli shpërthen ndaj kryedemokratit Lulzim Basha pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës. Topalli thotë se Basha u tërhoq më në fund nga të gjitha kauzat e tij në 7 vitet e fundit, nga “revolucioni” te “çadra e lirisë”, e tashmë nuk kërkon as “qeveri tranzitore”.
“Këta janë të gjithë bashkë,” thotë politikania shkodrane teksa i akuzon si klasë politike e korruptuar që duhen shkulur.
Reagimi i plotë i Topallit:
7 vite rresht tha se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Në funksion të kësaj bëri çadër, “revolucion”, dogji mandatet e demokrateve, nuk hyri në zgjedhje lokale, i dhuroi Ramës gjithë Parlamentin pasi i dhuroi mandatin e dytë,i dhuroi të gjitha Këshillat Bashkiakë, i dhuroi të gjitha Bashkitë…
Dhe ja sot po thotë me shkrim se “ashtu ishte loja” Nuk kërkojnë më as qeveri tranzitore, as qeveri kujdestare, as qeveri kalimtare… Sipas Luli Basha- “Rama nuk qenka ai që thoshte se ishte…” Këta janë dhe kanë qenë të gjithë bashkë. Sonte ishin “felici e contenti” me kodin siç ishte. Kjo kasë politike e korruptuar duhet shkulur!