Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në stadiumin “Adush Muçaj” gjatë takimit të Kategorisë së Dytë mes Bylis B dhe Orikut, ku tensionet në fushë kanë përfunduar me shoqërimin e një futbollisti në polici.

Në minutën e 43-të të sfidës, lojtarët Telushi dhe Sulovari u ndëshkuan me kartonë të kuq pas një përplasjeje, por situata u përshkallëzua në dhunë fizike.

Ndërhyrja e forcave të rendit ishte e menjëhershme, ndërsa pamjet e publikuara nga “Disidentët” treguan futbollistin e Orikut, Telushi, duke u nxjerrë me forcë nga fusha drejt fugonit të policisë.

Takimi u pezullua për disa minuta deri në qetësimin e gjendjes përpara se të rifillonte. Ky incident vjen në një moment kritik të sezonit, pasi Oriku do të detyrohet të luajë pa një prej titullarëve në finalen vendimtare ndaj Butrintit.

VIDEO