Trajneri Bayern Munichut, Hansi Flick, i bëri të qarta shpresat e tij për të fituar tripletë qysh në sezonin e tij të parë si trajner në Allianz Arena, pasi skuadra e tij e siguroi edhe matematikisht titullin e Bundesligës të martën. Goli i shënuar nga Robert Lewandowski në pjesën e parë të fitores me rezultat 1:0 të Bayernit kundër Werder Bremenit të Milot Rashicës, i mjaftoi Bayernit ta sigurojë titullin e Bundesligës të martën, transmeton Gazeta Express. Djemtë e Hansi Flick janë me një këmbë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi që në ndeshjen e parë kundër Chelseat, të zhvilluar në Stamford Bridge, shënuan fitore me rezultat 3:0, ndërsa kjo pritet të rinisë në gusht.
Ndërkohë, Bayerni është edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë, ku do të përballet me Bayer Leverkusenin të cilin e mposhti në fundjavën e kaluar. Kjo bën që trajneri Flick të ketë shpresa për tripletë këtë sezon. “Ne e kemi bërë hapin e parë dhe e kemi arritur qëllimin tonë të parë duke e fituar titullin e kampionit. Por, ne e kemi ende Kupën e Gjermanisë si qëllimin tonë të radhës”, tha Flick pas ndeshjes.
“Natyrisht, pastaj e kemi edhe Ligën e Kampionëve. Natyrisht që për këtë s’mund të planifikojmë. Do të jetë e vështirë të dalim fillimisht nga ndeshja kundër Chelsea. Pastaj do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Do të jetë e vështirë dhe ne do të jemi gati”.