Ujërat termale të Bënjës, 13 km larg qytetit të Përmetit, një fenomen i rrallë natyror dhe që tërheq mijëra turistë vendas e të huaj çdo vit, ishin në qendër të një aksioni mirëmbajtje dhe rehabilitimi të zonës përreth gjatë ditëve të fundit. Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, tha për ATSH-në se “pavarësisht situatës ende të pafavorshme për një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, bashkia ndërmori një aksion pastrimi, fillimisht në Ujërat Termale të Bënjës, si një ndër pikat më të vizituara për turistët në qytetin tonë”.

“Zhvillimi i turizmit është i pamundur pa një mjedis të pastër dhe për këtë bashkia do të angazhohet maksimalisht për të siguruar infrastrukturën e duhur duke vazhduar me pastrimin edhe në zona të tjera”, – tha Hoxha për ATSH. Sipas saj, puna u përqendrua në të gjithë sektorët, si rrugë rurale, mirëmbajtje dhe pastrim. “Ky aksion po vazhdon dhe në zonat e tjera ku mjetet e bashkisë aktualisht janë përqendruar dhe në zonën e Frashërit”, – tha Hoxha.

Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike , janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit Lengarica. Ḉdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj. Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla të një bukurie të çmueshme në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatshme për trajnimet e lëkurës. Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe Kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut.