Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot “tunelin e Llogarasë një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit. Në shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të tunelit të Llogarasë, Rama tha se “me këtë vepër aksi Orikum – Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta”. “Tuneli i Llogarasë është një vepër e imagjinuar dhe e premtuar rëndom në çdo fushatë elektorale pas rënies së komunizmit dhe asnjëherë e materializuar për një mijë e një arsye. Edhe ne jemi zotuar që ta ndërtojmë tunelin e Llogarasë dhe sot jemi në fillim të kurorëzimit të procesit që do të çojë në mbajtjen e këtij zotimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “bëhet fjalë për një zonë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Shqipërisë në botë”. “Një zonë ku interesi është i gjithanshëm pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një natyrë dhe klimë të mrekullueshme në kushtet e sezonit turistik të verës, por bëhet fjalë edhe për një zonë me histori e trashëgimi kulturore, sot e gjithë ditën një thesar i pazbuluar. Bëhet fjalë për zonë që gjendet në librin e Jul Qezarit, i cili shkruan se në mesditën e 5 janarit kishte zbarkuar në Palasë”, tha Rama.
Ai theksoi se “me shumë krenari, ne sot jemi gati të materializojmë këtë projekt, i cili do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës dhe natyrisht do të shërbejë si një katalizator shumë i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në gjithë rivierën joniane”. “Faktikisht e kemi parë dhe përjetuar shumë herë në kontaktet tona me investitorët e huaj shumë të interesuar për të investuar në turizëm, sidomos pasi ne krijuam një paketë ligjore agresive, pikërisht për të tërhequr investitorët e huaj, dhe në fund biseda gjithmonë mbyllet me distancën mes vendit ku synohet të bëhet një investim dhe aeroportit më të afërt”, tha Rama. Rama tha se “përtej faktit se aeroporti i afërt me zonën, ai i Vlorës, do të ndërtohet, dhe një tjetër aeroport shumë herë i përfolur do të ndërtohet, ai i Sarandës, por kyçi mbetet Llogaraja, sepse distanca zgjatet jo vetëm si kohë, pro edhe si vështirësi në segmentin që e njohim të gjithë, që gjarpëron për të kapërcyer malin e Llogarasë”.