Datat specifike për hapjen e kufijve, krahas masave të prezantuara nga vendet konkurruese, kanë nënkuptuar faktin që disa turistë, të cilët do të preferonin të vinin në Mal të Zi, tashmë kanë zgjedhur destinacione si Shqipëria, Kroacia, Turqia, Greqia, Egjipti dhe Tunizia, shkruan total-montenegro-news .com. Mali i Zi aktualisht është i hapur për më shumë se 100 vende. Por, sipas Shoqatës së Hotelierëve dhe Apartamenteve të komunës së Ulqinit, masat më të favorshme të hyrjes të paraqitura nga Shqipëria kanë bërë që deri në 90% të kapaciteteve të saj turistike të plotësohet, krahasuar me vitin e kaluar.
“Vendet konkurruese si Shqipëria, Kroacia, Turqia, Greqia dhe Egjipti nuk e kanë kriterin e 25 pacientëve aktiv për 100 000 banorë, por kanë ose kufij plotësisht të hapur, me masa të caktuara për të zbatuar distancën dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave kur hyjnë në Shqipëri, Greqi, Kroaci, Egjipt e tjerë ose kryejnë teste për pasagjerët në hyrje, si në Turqi”, sipas agjencisë turistike malazeze ‘’Fly Montenegro’’. Sipas informacionit të tyre, përveç masave të lartpërmendura, Kroacia dhe Shqipëria kanë prezantuar plotësimin e formularëve pas hyrjes në vend. Qëllimi i formularit është të dijë se ku do të qëndrojë një individ si edhe datën e mbërritjes dhe të nisjes për të monitoruar situatën dhe kontrollet.
Në Tiranë, format plotësohen me dorë gjatë fluturimit, për të shmangur turmat në ulje. Kroacia ka krijuar një aplikacion në internet përmes të cilit udhëtarët mund të plotësojnë informacionin e kërkuar para mbërritjes në Kroaci, në mënyrë që të shmangin pritjen në aeroport. Shoqata e Hotelierëve dhe Apartamenteve të komunës së Ulqinit kohët e fundit i bëri thirrje qeverisë që të hap kufijtë dhe të lejojë hyrjen dhe qëndrimin e papenguar të personave nga vendet e rajonit sepse, siç thonë ata, situata ekonomike është shumë e vështirë.
Presidenti i shoqatës, Fuad Lunji, pohon se në Shqipëri, në krahasim me vitin e kaluar, 80 deri 90% e kapaciteteve aktualisht janë të plotësuara dhe se ajo po vepron mjaft mirë. “Ne duhet të gjejmë një rrugëdalje dhe të shfrytëzojmë sa më mirë situatën, pavarësisht nga sëmundja”, shto ai. Ndërkohë, po sipas “Fly Montenegro’’ ka një interes të madh nga turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina, nga ku rreth 100 000 turistë shkuan në Malin e Zi vitin e kaluar. Fluturimet nga këto vende tani po i drejtohen Shqipërisë pikërisht për shkak të masave.
“Tashmë kemi parë një numër shembujsh ku fluturimet nga Bjellorusia që ishin planifikuar për në Malin e Zi u ridrejtuan për në Shqipëri, ku fluturimi i parë u krye më 12 qershor. Fluturimet e para nga Minsku, të cilat ishin planifikuar dhe shitur në Tivat në mes të qershorit, u devijuan dhe zbarkuan në Tiranë. Fluturimi u mirëprit në aeroportin e Tiranës nga ministri i Turizmit i Shqipërisë’’, thekson ‘’Fly Montengreo’’.