UEFA ka konfirmuar sot planin e saj për të rifilluar aktivitetet ndërkombëtare në muajin gusht me pjesën e mbetur të edicionit 2019-2020 dhe më pas ndeshjet e 2020-2021. Situata është ende shumë konfuze për shkak të pandemisë në të gjithë kontinentin, me udhëtimet e bllokuara mes shumë vendeve, ndërsa edhe futbolli në pjesën më të madhe të Europës luhet me shkallare të boshatisura.
I pyetur nëse kështu do të ishte edhe futbolli ndërkombëtar në këtë vit, pa tifozë në stadium e turma mbështetësish që ndiqnin ekipet e tyre nga një vend në tjetrin, presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka lënë gjithçka të hapur, sidomos sa u përket ndeshjeve të gushtit të cilat zhvillohen me sistem grumbullimi.
“Nëse do të më duhej të përgjigjesha e vendosja sot, do të thosha jo, nuk do të ketë spektatorë. Por gjërat ndryshojnë me shpejtësi, deri pak muaj më parë nuk besonim as se mund të luhej. Nuk kemi vendosur ende, të shohim situatën në fillim të korrikut dhe do të vendosim deri në gjysmën e muajit të ardhshëm”, theksoi ai.
Sipas mediave ndërkombëtare, Çeferin do të dëshironte që fazat finale të turneve 2019-2020 që luhen në muajin gusht, të zhvillohen me tifozë në stadium, sigurisht me prani më të reduktuar dhe me kushte të rrepta sigurie higjeno-sanitare.