Koronavirusi nuk është larguar. Disa vende, vazhdojnë të përballen me epidemi të mëdha, por edhe ato që aktualisht e kanë virusin nën kontroll, druajnë valën e dytë. Faza e dytë e gripit spanjoll, një shekull më parë, ishte më vdekjeprurëse se e para. Por, a është një valë e dytë e paevitueshme dhe sa e rëndë mund të jetë ajo. Pikë së pari, çfarë është një valë e dytë. Ekspertët thonë se mund ta mendoni atë si valët e detit. Numri i infeksioneve rritet dhe më pas bie sërish, cdo cikël është një valë koronavirusi. Sidoqoftë, nuk ka një përcaktim zyrtar. Disa e përshkruajnë çdo rritje si një valë të dytë, por shpesh ajo është një goditje e valës së parë.

Kjo po ndodh në disa shtete amerikane. Për të thënë se një valë ka përfunduar, virusi duhet të jetë vënë nën kontroll dhe rastet të kenë rënë ndjeshëm. Që një valë e dytë të fillojë, duhet të ketë një rritje të vazhdueshme infektimesh. Zelanda e re, që ka patur rastet e para pas 24 ditëve pa koronavirus dhe Pekini që po përballet me një shpërthim të ri pas 50 ditësh pa virus, nuk janë në këtë pozicion. Por, disa shkencëtarë argumentojnë se Irani mund të jetë duke plotësuar tani kushtet për një valë të dytë. Sidoqoftë, e qartë është se virusi vazhdon të jetë mes nesh dhe nuk është më pak vdekjeprurës apo më pak infektues se sa në fillim të 2020.

Izolimet kanë shkaktuar probleme të mëdha në të gjithë botën duke shkatërruar vende pune, duke prekur shëndetin e njerëzve dhe duke i mbajtur fëmijët larg shkollave. Por ato kanë kontrolluar virusin. Tani, pikëpyetja kryesore është si të mbahet ai nën kontroll duke minimizuar pengesat. Askush nuk është 100 për qind i sigurt, se sa larg mund të shkojmë…. Ndaj masat po hiqen me faza dhe mënyra të reja për kontrollin e koronavirusit, si psh gjurmimi i kontakteve apo maskat mbrojtëse, po aplikohen.