“Dosja “CEZ” është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinosaurëve të korrupsionit”. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, “dosja “CEZ” është shembulli i pagesave të tarifës së korrupsionit me plot 6.8 milionë Euro brenda një dite të vetme në qershor 2009, 2 javë pas privatizimit të OSSH, 2 javë para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Paratë dolën ditën me diell me thasë nga Banka Raiffeisen në qendër të Tiranës”.

“Siç kemi paralajmëruar, anëtarët e KÇK që nuk kanë kaluar Vetingun, të mbetur në sistemin e drejtësisë po vijojnë të marrin vendime gjyqësore haptazi në kundërshtim me ligjin në lidhje me dosjen “CEZ”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim me persona të tjerë, ndërsa pala e dëmtuar janë qytetarët shqiptarë”, tha Balla. “Vendimi i paligjshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili u la sot në fuqi në Apel, do të ankimohet menjëherë”, theksoi Balla.

“Në kallëzimin e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë ishin paraqitur fakte dhe prova të pakundërshtueshme se Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit në vitet 2005-2013 bashkë me persona të tjerë të kallëzuar prej nesh, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, shtoi Balla. Balla nënvizoi se, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe dërgimin e këtij raporti në Prokurori për fillimin e çështjes penale. “Komisioni Hetimor i Kuvendit, pati arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundërligjshme gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009” Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj marrëveshje”, tha Balla.

“Çështja hetimore e Prokurorisë, lidhet me hetimin e “shpërdorimin e detyrës të funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar që kanë ndjekur procedurat për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH sh.a si dhe atë të “ ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Në nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale shkronja” a “ vepra penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “ parashikuar nga neni 245/1 është vepër penale në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vepra penale e ”shpërdorimit të detyrës” për të cilën Kuvendi ka depozituar kallëzimin në prokurori nga ish funksionare sipas shkronjës “ç“ të nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale është në kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më datë 19.12.2019 , ka filluar funksionin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ka kompetencën për të gjykuar funksionarët e lartë apo veprat penale për të cilën është depozituar kallëzimi penal nga Kuvendi”, tha Balla.

Në këto rrethana, shtoi ai, “ i kërkuam Gjykatës së Shkallës së Parë të shpallte menjëherë moskompetencën të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kalimin e kësaj çështje në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por gjyqtar Lazër Sallaku në një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin vendosi shqyrtimin e një çështje jashtë kompetencës së tij lëndore”. Gjithashtu Balla sqaroi opinionin publik se “edhe vendimi i Prokurorisë së Tiranës për përfundimin pa hetim të plotë të kësaj dosje dhe nxitimi për mbylljen e saj ngre dyshime të mëdha. Lënia në fuqi e vendimit nga Apeli, konfirmon frikën e të akuzuarve nga Drejtësia e re dhe nxitimi për të marrë “vërtetime” nga grupi i gjyqtarëve KÇK”.