Duke folur për situatën e COVID19, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se strategjia është dinamike, për t’ju përgjigjur nevojave dhe kërkoi që çdokush të udhëheqë përmes shembullit personal. Shefja e Shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo deklaroi se po ofrohet maksimumi I terapisë intensive dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, duke deklaruar se liria individuale përfundon aty ku cënohet shëndeti i tjetrit.

29 Qershor, Tiranë- Forcohen kapacitetet e pajisjeve jetëshpëtuese në terapinë intensive në spitale, me 265 monitorë të rinj, financim i qeverisë shqiptare, për t’ju përgjigjur situatës së shkaktuar nga COVID19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar Qendrësn Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale. “Janë 265 monitorë, 50 prej të cilëve janë multi-parametrikë, janë pajisje të rëndësishme jetëshpëtuese që I shtohen flotës së aparaturave mjekësore në spitale, me qëllim forcimin e kapaciteteve në terapitë intensive, në kuadër të strategjisë sonë të përgjigjes ndaj COVID19, për t’I shërbyer sa më mirë pacientëve”, tha Manastirliu.

Duke folur për strategjinë për përballjen e situatës, Manastirliu tha se po rriten kapacitetet spitalore për të përballuar nevojat sot dhe në të ardhmen.
“Strategjia është dinamike, po I përgjigjet nevojave aktuale por edhe në të ardhmen, qoftë për testimet, kapacitetet në terren, gjurmimin dhe izolimin, për të kufizuar përhapjen e COVID19”, tha Manastirliu. Duke vlerësuar punën heroike që po bëhet në shërbimin infektiv në QSUT, Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të mbajnë maskën pasi është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit. “Secili duhet të udhëheqë përmes shembullit. Ne të parët dhe çdo qytetar. Çdo qytetar ka të drejtat e tij por edhe detyrimin përkashi shëndetit të tij dhe njerëzve që e rrethojnë. Mbajtja e maskës, distancimi fizik dhe higjiena vetjake janë të vetmet armë që kemi për ta kufizuar virusin. Secili me shembullin personal, të tregohemi të kujdesshëm dhe të kemi përgjigjen e duhur edhe në këtë fazë të dytë të rihapjes”, tha Manastirliu.

Ndërsa shefja e shërbimit Infektiv tha se aktualisht shërbimi ka një fluks të shtuar dhe bëri apel për respektimin e rregullave nga qytetarët. “Kemi shtim të numrit të personave të shtruar dhe natyrisht kemi shtim të pacientëve që kërkojnë ndjekje në terapi intensive. Pikërisht pajisjet me këto aparatura që i ofrohen pacientëve në terapi intensive janë një ndihmesë e madhe që ofrohet për shtimin e përkujdesit. Megjithatë do thosha diçka që, çfarë ne ofrojmë në terapi intensive është maksimumi jonë nga ana profesionale, por popullata duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme që liria e një personi shkon deri aty sa nuk cënohet shëndeti i tjetrit. Ju siguroj që virusi tani ka filluar të përzgjedhë çdo grup moshe dhe duke agravuar situatën shëndetësore të tyre. Ndaj thirrja e vetme që mbetet është: Ne jemi në shërbimin tuaj! Kemi shumë muaj që jemi vetëm në shërbimin tuaj, por kini parasysh që edhe ju keni detyrimin për të ruajtur distancimin fizik dhe e dyta mbajeni maskën kudo që jeni sepse janë të vetmet arma që kemi për t’u mbrojtur nga ky lloj virusi”, tha Çomo.

Me financim nga buxheti i shtetit, drejtoria e QSUT po përfundon rekrutimin e stafit mbështetës prej 50 mjekësh, infermierësh për të përballuar fluksin e mundshëm të COVID19 në spitalin COVID 3 (ish-kirurgjitë), e cila do të hapet nëse do të ketë shtim të rasteve në spitalin Infektiv, paralelisht me spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” nëse do të ketë shtim të rasteve në terapi intensive që kanë nevojë për trajtim të specializuar. Sipas strategjisë së miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, janë katër spitale të parashikuara për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19, me një kapacitet prej 550 shtretër.