Nga Ylli Pata

Dy ditët e fundit ka nisur një ofensivë e vërtetë në rrjete sociale dhe media online duke cekur ҫështjen e votës së emigrantëve. Ky “lum” i sertë, i derdhur në rrjet këto 48 orë, ka një rezultante dhe në thelb sulmon fort qeverinë e Edi Ramës. Zëra pranë opozitës që kryesisht jetojnë jashtë Shqipërisë, kanë akuzuar qeverinë se po lë emigrantët pa votuar. Problemi i votës së emigrantëve ka qenë një premtim elektoral i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013, por gjatë mandatit të parë nuk u arrit të prekej Kodi Zgjedhor për këtë ҫështje, si pasojë edhe e ҫadrës së ngritur nga PD-ja që kërkoi rrëzimin e qeverisë Rama, por që më pas nga pakti i 17 majit arriti të marrë disa ministra, si dhe drejtorin e OSHE, AlUIZNI-it etj.

Në fushatën e vitit 2017, Rama deklaroi se ҫështja e emigrantëve do të adresohet në zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk arritëm dot që ta bëjmë kësaj here. Në vitin 2017, Rama i kërkoi opozitës që të nisin mmenjëherë të bëjnë reformën zgjedhore sipas rekomandimit të OSBE/ODIHR-it, duke adresuar edhe votën e emigrantëve. Por ka qenë opozita e cila bëri të ditur se vota e emigrantëve nuk mund të trajtohet pasi nuk ka besueshmëri tek administrate, tek ambasadat dhe posta pasi mund të manipulohet. Kështu që kjo ҫështje sërish u shty dhe këto ditë nuk është adresuar gjatë debateve që janë zhvilluar në mbledhjet e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

I pyetur për këtë ҫështje nga ana e TemA, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi se “ne nuk jemi tërhequr për votën e emigrantëve por ja kemi kaluar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ta zgjidhë me akte nënligjore ҫështjen e votës në distancë”. Në fakt, pak kohë më parë edhe ministri i Diasporës Pandeli Majko, kërkoi nga ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme që të krijojnë infrastrukturën praktike dhe legale për të adresuar votën e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit.

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit përbëjnë thuajse gjysmën e listave zgjedhore që rregullisht votojnë në vend prej rreth 30 vjetësh. Një pjesë e emigrantëve që jetojnë në Greqi edhe Itali, kanë ardhur të votojnë, qoftë edhe të organizuar nga grupe të ndryshme politike, por pjesa më e madhe nuk mundet që të vijnë. Vende të ndryshme të rajonit, si Kroacia, Maqedonia, madje edhe Kosova e kanë të zgjidhur ҫështjen e votës së diasporës, duke përdorur ose votën me postë, ose votën në ambjentet e ambasadave dhe konsullatave. Ҫështja pritet të diskutohet pas konstituimit të Komisionit Qëndror të ri të Zgjedhjeve, i cili pritet të rizgjidhet pas arritjes së konsensusit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u kërkoi palëve politike në vend që të mos vënë kushte të reja port ë arrijnë sa më shpejt një consensus për reformën zgjedhore. Tema/