Pas reagimit të parë të Hashim Thaçit, erdhi dhe reagimi i parë i Aleksandar Vuçiç lidhur me aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës. Vuçiç tha se gjëja me e rëndësishme për Serbinë është të tregojë përmbajtje ndaj kësaj situatë.

“Ne duhet të të jemi të përmbajtur. E dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm”, deklaroi kreu i shtetit serb në Bruksel, ku po qëndron për vizitë zyrtare gjatë së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë europianë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të mërkurën se i ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaci, Veseli dhe të tjerët akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.