Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar për herë të parë aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerëve. Vuçiç ka thënë se gjëja me e rëndësishmë për Serbinë është të tregojë përmbajtje ndaj kësaj situatë.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të përmbajtur. Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm”, ka thënë Vuçiç para mediave në Bruksel, ku po qëndron për vizitë zyrtare gjatë së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë evropianë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”. Komentet e Thaçit në llogarinë e tij zyrtare në Instagram janë të parat prejse Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.