Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës anti-COVID: Drejtorinë Tatimore, Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 1708 inspektime dhe monitorime në 24 orët e fundit në të gjitha qarqet e vendit. Nga inspektimet janë marrë 2 vendime të ndërmjetëm për pezullim të aktivitetit të subjekteve dhe janë vendosur 2 masa administrative me gjobë për bar-kafe dhe magazinë ushqimore. Gjobat janë vendosur në vlerën 100 000 lekë për çdo subjektet e kapura në shkelje të protokolleve të sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga COVID-19.

Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë. Mbi 86 mijë subjekte janë kontrolluar dhe monitoruar në të gjithë vendin gjatë periudhës së epidemisë për masat ndaj COVID19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon nga qytetarët zbatimin e masave të distancimit sociale, higjenës personale dhe përdorimin e maskave në vendet e mbyllura të rekomanduara. Gjithashtu ju kërkon institucioneve dhe bizneseve të zbatojnë në mënyrë strikte protokollet e sigurisë.

Ndërkohë inspektimet nga inspektorët shëndetësore do të vijojnë punën në terren për ndërgjegjësimin e subjekteve për zbatim të protokolleve të sigursë me zero tolerancë në bare, restorante, subjekte tregtare, institucione publike etj, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.