“Stamplast”, është prodhues i aksesorëve të aluminit, eksportues në Itali dhe rajon, që falë angazhimit të Qeverisë Shqiptare ka përfituar lehtësim në tregti dhe akses në tregjet e huaja. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin zhvilloi një vizitë në këtë fabrikë. “10 mijë e 548 qytetarë kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në qarkun Vlorë. Deri më sot 169 mijë e 900 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë”, – theksoi Denaj.
Ministrja Denaj tha se “një nga industritë që është infektuar nga pandemia është industria fason. Garancia e dytë sovrane është 150 milionë dollarë, ajo nuk është me një datë skadence. Nëse skadon garancia e dytë sovrane do të kemi garancinë e tretë sovrane , sepse Shqipëria 2030 do të ketë disa garanci dhe është një mënyrë se si të ndihmojë biznesin për të akomoduar nevojat sidomos për riautomatizimin për nevoja të reja”. Sipas saj, kjo situatë e pandemisë ka treguar se nuk është kaq kollaj të menaxhosh në distancë sepse prodhimi kërkon një monitorim të vazhdueshëm. “Ka një diskutim sot në kuadrin e përllogaritjeve se kush do të jetë riorganizimi i kalimit të disa fabrikave nga disa vende të larta në vende, të cilat për Europën perëndimore dhe vendet e BE-së kanë Ballkanin Perëndimor. Këto janë pjesë e një poltike të bashkëpunimit rajonal që në fokus ka integrimin drejt BE-së, por ky moment në aspektin ekonomik na ka vënë përpara një diskutimi se ku dhe në çfarë industrie ose në nivel lokal ose në nivel rajonal të tërheqim investitorët e Europës Perëndimore që i kanë fabrikat e tyre më larg dhe në Ballkonin Perëndimor i kanë më afër”, -nënvizoi Denaj.
Pronari i “Stamplast”, u shpreh se “para pandemisë kishim 105 punonjës, sot janë 89. Përfituan pothuajse të gjithë paketën prej 40 mijë lekë të pagës së luftës. Pronari tha se ne aktualisht prodhojmë piston alumini për dyer dritare”.