-Rreth 386 fermerë aplikantë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020, rezultojnë përfitues të financimit për zëvendësim plastmasit, në listat e përditësuara të AZHBR-së, pas buxhetit të shtuar prej 400 milionë lekë që dha qeveria për subvencionet në bujqësi. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, financimi për zëvendësimin e plastmasit termik, do të përfshijë në fond aplikimet deri në numrin rendor 386 nga 225 aplikimet që ishin kualifikuar në fazën e farë, pa buxhetin shtesë.
Sipas listës së publikuar rezulton se, mbi 700 fermerë kanë aplikuar në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, për të përfituar mbështetje për zëvendësim plastmasi. Fermerëve që duan të ndryshojnë plastmasin në serra, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Skemës Kombëtare do t’i mbështesë duke u paguar pjesën e taksës që ata japin kur blejnë plastmasin si lëndë e parë. Pra fermerët përfitojnë subvencionim të TVSH-së për plastmasin që përdorin në serra për prodhim bujqësor.
Nëpërmjet pagesave nga Skema Kombëtare synohet të bëhet kompensimi i kësaj vlere, çka ndikon në uljen e kostos së prodhimit të prodhimeve bujqësore të cilat janë produkte me peshë të konsiderueshme edhe në eksportet bujqësore. Sipas vendimit që përcakton kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020, fermerët për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë përfitojnë 300 000 lekë/ha.
Ndërsa për zëvendësimin e plastmasës termik në tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes përfitojnë subvencion në vlerën 100 000 lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. “Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II”, citon vendimi i qeverisë.