Të gjithë banorët e qytetit të Durrësit që janë përfitues të grantit për rindërtimin e banesave të tyre, të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët nuk kanë mundur të bëjnë aplikimin deri dje, afati është shtyrë deri në fund të ditës së sotme (datë 16/07/2020). Kështu deklaroi sot, kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, ndërsa informoi se, në Durrës përfitojnë nga granti i rindërtimit 7 500 familje.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ekonomi vuri në dukje se,” granti për rindërtimin është një mundësi e mirë, që e përfitojnë të gjithë familjet banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti dhe i shërben atyre që të shmangin dëmet nga kjo fatkeqësi natyrore”.

“Gjithashtu në Durrës po ndërtohen edhe shkolla për fëmijët. Numri i shkollave që do të ndërtohen në Durrës është 27, nga të cilat 19 janë shkolla ndërtime të reja dhe 8 rikonstruksione”- u shpreh Ekonomi

Sipas saj, në Durrës donatorët financojnë edhe për rindërtimin e të gjithë trashëgimisë kulturore që është një e mirë e madhe për të shtuar turizmin në këtë qytet. Ajo tha se, shteti është pranë familjeve të Durrësit për t’i dhënë një mundësi dhe për të kontribuar në mirëqenien e familjes së tyre.