Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një interviste televizive, të enjten pasdite u shpreh se me miratimin sot në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është plotësuar një nga kërkesat që i është vendosur vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese për të hapur listat, Balla u shpreh se kjo është një kërkesë e 85% të shqiptarëve dhe Partia Socialiste ka qenë gjithnjë pranë interesave të qytetarëve që me këtë ndryshim do kenë më shumë hapësirë vendimmarrëse.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Balla sqaroi se për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, Partia Socialiste u ul në tryezën e bisedimit edhe me opozitën parlamentare, që kishte kërkesat e saj për lista të hapura.

“E para, duhet të kuptojmë që PS nga zgjedhjet e vitit 2017 ka 74 përfaqësues, 3/5 e Kuvendit janë shumë më shumë se mazhoranca e thjeshtë që kemi marrë nga sovrani popull. Prej 5 qershorit dhe përpara 5 qershorit është bërë shumë e qartë që miratimi i kësaj marrëveshjeje kërkon dhe një marrëveshje më të gjerë”, – tha Balla.

“Opozita parlamentare nuk është unike, ka tre grupe dhe deputetë të pavarur. Prandaj u bë e domosdoshme dhe një marrëveshje me opozitën parlamentare. Marrëveshja e parë për Kodin Zgjedhor ka qenë me opozitën parlamentare, ku e ndamë reformën në dy pjesë, ndërhyrjet në Kod, për administrimin e procesit zgjedhor dhe pjesa e dytë ka të bëjë me diskutimin e mundësive për të ndryshuar sistemin zgjedhor”, – u shpreh Balla.

“Në situatën që jemi ne nuk kemi ndërmarrë asnjë ndërhyrje në sistemin zgjedhor. Në të gjitha opinionet e Komisionit të Venecias, qoftë opinionet nga OSBE/ODIHR apo Këshilli i Europës, është thënë shumë qartë se ndërhyrjet në sistem ndryshojnë sistemin, ne këtë s’e prekim, pra sistemin proporcional rajonal, por hapim listën për zgjedhësit. Shqipëria për shkak të kompozimit të saj për zonat që ka, çdo pjesë ka mënyrën dhe formën e vet dhe ky sistem proporcional rajonal është më i miri”, – theksoi Balla.

“Ne po synojmë t’i japim votuesit dy vota, një për partinë dhe një për kandidatin. Në këtë kontekst, kjo është diçka që i jep peshë votës së qytetarit. Ka një dallim të madh me qasjen që PS ka me atë që preferojnë njerëzit. Kjo është diçka që e mbështesin mbi 85% e qytetarëve shqiptarë. Shumica e madhe e qytetarëve e mbështesin. Një lider i një partie që sheh këtë trend dhe sheh dhe kërkesat e partnerëve, atëherë merr një vendim që shkon në interes të qytetarëve dhe PS ka qenë gjithnjë pranë qytetarëve dhe kauzës së qytetarëve”, – tha Balla.

“Ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë skontuar dhe një nga kërkesat e BE për integrimin. Këtë e ka sqaruar komisioneri Varhelyi. Dhe paketa për ndryshimet kushtetuese nuk interferon aspak në integrimin europian, por është hap i rëndësishëm në përfshirjen më të madhe të qytetarëve. Detyra e vendosur nga BE, që lidhet me reformën zgjedhore, sot quhet e spontuar”, – nënvizoi Balla.

Balla gjithashtu tha se koalicione do ketë, ata që thonë se nuk do ketë koalicione gënjejnë.

“Parashikimi i ndryshimeve kushtetuese, do të krijojë mundësinë që të ruajë këtë arritje të madhe të shqiptarëve, siç është barazia gjinore. Në shumë vende është me një votë parapëlqyese. Nuk është e vërtetë që koalicionet janë hequr. Bëhet abuzim mbi draftin e parë që është iniciuar. Në draftin e parë ka qenë e shkruar; ndalohen koalicionet parazgjedhore. Ai formulim ka rënë, nuk është më. Hapja e listave, janë A-ja. Nuk preken aspak koalicionet, partitë nuk penalizohen”, tha Balla.