Ndërtimi i 50 shtëpive të para individuale në Tiranë, do të nisi këtë javë. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë një aktiviteti për shpërndarjen e granteve për riparimin e shtëpive të dëmtuara, bëri të ditur se të premten nis puna për ndërtimin e 50 shtëpive të para individuale në Farkë, Tiranë.
Ahmetaj tha se po këtë javë do të nisë puna për ndërtimin e banesave individuale edhe në disa bashki të tjera të prekura nga tërmeti. Procesi, tha ai, ka mbaruar dhe është gati nisja e punimeve në terren.
Po ashtu, sipas ministrit ka nisur hartimi i projekteve të detajuara për ndërtimin e banesave kolektive urbane. “Besoj se në fund të shtatorit në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti që nga Tirana e deri në Mirditë dhe Rrogozhinë do të kemi punën në terren me programin e rindërtimit”, tha Ahmetaj.