Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh sot se, akti normativ që ka miratuar qeveria, parashikon rimbursimin brenda një viti të qytetarëve nga kompanitë turistike, me të cilat cilat ata kanë lidhur kontrata për shërbime turistike, por që për shkak pandemisë nuk janë realizuar.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Klosi tha se, “akti normativ që ka miratuara qeveria shqiptare, prej disa javësh dhe që kalon sot në Kuvend, i jep garanci këtij sektori për të mos u ballafaquar me një fenomen i cili ndodh në të tilla raste. Qëllimi i këtij akti është mbrojtja e konsumatorit dhe qytetarëve, një pjesë e të cilëve pronotuan dhe paguan për shërbim turistik nga operatorë turistik vendas apo të huaj”.
“Kërkohet nëpërmjet këtij akti të garantohet çdo qytet shqiptar që pagesat e kryera për pushimet e tyre dhe të parealizuara për arsye të situatës së krijuar nga Covid, është detyrim i kompanive të realizojnë brenda një viti me të njëjtën kosto me të njëjtën ofertë turistike të parapaguar. Nese brenda vitit kompania turistike nuk e kryen këtë shërbim dhe qytetarët nuk bien dakort, qytetarit i kthehen paratë”- deklaroi Klosi.
Ai theksoi se, ky akt normativ mbron të dyja krahët, edhe qytetarin edhe biznesin turistik.
“Nuk është detyrim financiar i qeverisë shqiptare që kërkon të marrë mbi vete likuiditetin e kësaj fature, por vendoset një raport i qartë dhe i drejtë ligjor, tashmë me këtë vendimmarrje të Kuvendit, midis qytetarit dhe operatorit turistik”- informoi Klosi.
Ai tha se, pandemia goditi rëndë industrinë turistike. “Vazhdojmë të jemi në situatë jo të qartë, por është koha të mendojmë realisht për shëndetin e njerëzve. Edhe nëse duam të kemi sektor të qëndrueshëm turistik, duhet të zbatojmë protokollet e mbrojtjes ndaj Covid-19, distancimin social, moslejimin e grumbullimit dhe eventeve që dëmtojnë qytetarët”- tha ministri, ndërsa shprehu mbështetjen e qeverisës për t’i qëndruar pranë këtij sektori përballë vështirësive reale.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e operatorëve turistikë. Jemi futur në një sezon turistik të vështirë por me një numër të pranueshëm pushuesish që vijnë nga vendet e rajonit. Ndërkohë i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të operatorëve turistikë që nga paga e luftës për sektorin e turizmit, mundësinë e pagesave për biznesin e vogël që mbulon sektorin e turizmit, likuiditet për kompanitë që duan të vijojnë investimet në turizëm. Një kërkesë tjetër e biznesit të turizmit ka qenë shtyrja e tatimfitimit dhe kjo kërkese është shtyrë për vitin 2021 dhe ishte dhe kërkesa e sotme për vendosjen e raportit midis pushueseve dhe kompanive për rastet e pronotimeve të paguara dhe këtë kërkesë po e kalojmë”- deklaroi Klosi.
Ministri shprehu mbështetje për thirrjen e ministres Manastirliu. “Êshtë koha realisht të mendojmë për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, është koha të kuptojmë se kemi shumë nevojë, që nëse duam të kemi një sezon turistik në kushtet e mbijetesës, duhet të kemi në radhë të parë në vëmendje masat për të ruajtur shëndetin e njerëzve sipas protokolleve, të përcaktuara”- u shpreh Klosi.