Nga Ilirjan Blloshmi/

Zgjedhjet në Shqipëri si fabulat e La Fonten! Shpresa e Shqiptarëve vjen nga jashtë.“Një gomar ngarkuar me sfungjer dhe një gomar ngarkuar me kripë”, është një fabule e La Fonten e cila është shqipëruar nga Çajupi.Pak a shumë fabula është:I zoti i këtyre dy gomarëve po shkonte në pazar për të shitur mallrat në fjalë; vetë ia kishte hipur gomarit me sfungjer, se ishte më pak i ngarkuar si ai që mbante kripën.

Tek rrugëtonin, u del përpara një lumë: gomari me kripë mend mbytet në një gropë të thellë nga që kishte peshë të rëndë, por kripa tretet në ujë dhe veshgjati shpëton; gomari me sfungjer, i ngarkuar edhe me të zotin, tek ndjek verbas gomarin tjetër, për pak sa nuk mbytet sepse sfungjeri erdhi e u bë plumb i rëndë ngaqë thithi ujë, duke vënë në rrezik edhe jetën e të zotit.Për fat të mirë, dikush ia behu dhe i shpëtoi që të tre; morali i kësaj fabule është i thjeshtë: në jetë nuk duhet ecur verbas në gjurmët e të tjerëve!

La Fonteni ka parashikuar si alegori apo si profeci, atë që unë, druaj se vërtet mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Shqipëri.Më ngjan se i zoti i dy gomarëve, është presidenti i Republikës, që parapëlqen gomarin me sfungjer, pra, që mbështetet te opozita. Gomari i ngarkuar me kripë, pra qeveria , ecën vetëm, pa mbështetjen e ndoshta pa besimin e presidentit, por nën vëzhgimin e tij.Lumi që u del të treve përpara është momenti i zgjedhjeve.Gomari me kripë bie në një gropë të thellë me ujë, por shpëton se kripa është e tretshme në ujë pikërisht, çka mund të interpretohet, se angazhimet që ka marrë para elektoratit të vet, por sidomos para presidentit, do t’i marrë lumi dhe, rrjedhimisht, do të treten si kripa në ujë.

Nga ana tjetër, gomari me sfungjer, d.m.th opozita, duke ndjekur verbas gomarin me kripë, d.m.th qeverine, do të kërkojë t’i përgjigjet flakë për flakë.Situata, në fabul natyrisht, do të kishte qenë tragjike sikur “dikush” të mos kishte ardhur me vrap për t’i shpëtuar që të tre, dy gomarët dhe të zotin e tyre.I bie, pra, që “dikush” të vijë të shpëtojë edhe presidentin, edhe qeverinë, edhe opozitën në Shqipëri, nga situata e vështirë zgjedhore që rrezikon të krijohet.

Kush mund të jetë ky dikush? Pa dyshim Ambasada amerikane dhe faktori ndërkombëtar, që do të bëjnë çmos që zgjedhjet të zhvillohen normalisht, që të mos ketë shumë kundërshtime, pra, as mospranim të rezultateve, nga të dy palët.Pra me fjalë të tjera zgjedhjet në Shqipëri janë bërë si fabulat e La Fonten! Shpresa e Shqiptarëve vjen nga jasht, Ambasada amerikane dhe ndërkombëtarët janë e vetmja shpresë që ai vend mos falimentojë.