“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.
“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.
“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.
“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.