“Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të përballen gjatë në kërkim të një zgjidhje. Ngërci nuk do të marrë fund sa kohë palët në Kosovë nuk do të kenë një unitet politik e vullnet të bashkuar përfaqësimi përballë çdo faktori ndërkombëtar”.

Kështu e përkufizoi, analisti Ben Andoni në një intervistë për Report Tv situatën aktuale në Kosovë pas dështimit të Samitit të Uashingtonit e publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale për krime lufte në adresë të presidentit Hashim Thaçi.

Dhomat speciale të cilat janë nën juridiksionin e Kosovës por kanë edhe administrim ndërkombëtar dhe janë në Hagë veprojnë sipas proceduarave të tyre. Kuptohet që duket që ka një prapavijë politike dhe kjo ka ndodhur dhe me precedentë të tjerë, nga institucione të tilla disa dekada më përpara me ish-kriminelët e luftës, së Bosnjës me origjinë Serbe dhe Millosheviçit para Rambujesë. Ky është rasti i tretë këtë herë për Kosovën e cila, nuk ka peshën asnjëherë të asaj që ka bërë Serbia, të ish-Republikave të tjera sllave në federatë, kjo për faktin se Kosova ka qenë krahinë autonome e tyre”, shprehet analisti Ben Andoni.

Ai sqaroi se mosmarrëveshjet në politikën e brendshme të Kosovës, vetëm sa do t’i hapnin rrugën Serbisë dhe interesave të saj të momentit që në këtë rast janë për të vazhduar për ta mbajtur në këmbë krizën e marrëdhënieve me Kosovën. E analisti Andoni i druhet formulës së zgjidhjes me shkëmbime territoresh.

“Ka kohë që dihet dhe proceduara e asaj që lidhet me zotin Thaçi. Në Kosovë prej kohësh flitej, por kuptohet që është edhe ai konflikti i madh që sot është në administratën amerikane për politikën e jashtme. Në ditët në vazhdim do të kuptojmë shumë gjëra. Ne njerëzit e publicistikës, njohësit e çështjes së Kosovës, kur flitet nga kancelaritë e huaja që kanë një potencë shumë më të madhe se ne, e kupton që ky projekt ka qenë dhe do jetë dhe nuk është e çuditshme dhe personalisht mendoj se do të ndodhi ndryshimi i territoreve. Kam indikacione nga ajo që ndodhi me Malin e zi . Domethënë , z. Haradinaj u betua deri me kokën e vet që nuk do ndodhte dhe ndodhi fare natyrshëm dhe kështu do ndodhë edhe në këtë rast”, tha Andoni.

Sipas Andonit aktakuza ndaj dy liderëve të UÇK e mban në një pozitë të vështirë edhe vetë Kosovën, si shtet, e cila historikisht është vënë në një pozicion jo të barabartë përballë Serbisë në procesin e dialogut duke përmendur këtu edhe marrëveshjen e Rambujesë të propozuar nga NATO në shkurt të vitit 1999.

“E vetmja gjë jo e rregullt nga ana procedurale është shpallja e aktakuzës, kur nuk e ka marrë në dorë Gjykata. Problemi i vetëm ne këtë sens është përse aktakuza është shpallur pikërisht në këtë moment dhe pse z.Thaci duan ta shmangin nga i gjithë dialogu? Në fakt në Kosovë, kjo dihet prej kohësh sepse gjithmonë thuhej që z.Thaci jo vetëm nuk ka të drejtën ta përfaqësoj Kosovën në dialog por shumë shpejt do marrë letër. Dhe aktakuza mbështet mbi dëshmitarët dhe shumica e dëshmitarëve ose janë ekzekutuar ose janë shmangur ose kanë frikë të flasin. Në Kosovë ka rreth 60 personazhe të LDK-së dhe ka personalite të tjerë që janë zhdukur dhe ende sot nuk dihet gjë pse janë zhdukur”, tha Andoni.

Fytyra e presidentit Thaçi në daljen e tij të fundit publike transmetoi ndjesinë e frikës në këndvështrimin e analistit Andoni. Pavarësisht nëse konfirmohet apo jo aktakuza ndaj tij, kryetari i shtetit shqiptar vështirë se do ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Aktakuza në këtë moment kam përshtypjen se është pak shqetësuese për z. Thaci. Aktakuza mbështetet mbi dëshmitarët me një dhe po ta shikonit me kujdes z.Thaci në deklaratën e tij dukesh një sens frike, dukesh një sens i madh pasigurie, që ka dëshmitarë ose jo. Unë personalisht mendoj se ka dëshmitarë, kundër z.Thaçi problemi është sa të besueshëm janë ata…. Ai duhet të mbante një qëndrim, duhet të ishte më real. Disa personazhe të UCK janë shumë problematikë. Por ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e vështirë të provohen fajësitë e tyre …Në qoftë se aktakuza do pranohet nga Gjykatësi special, nëse ky njeri e di që ka dëshmitarë kundër , ai moralisht duhet japë dorëheqjen e të mos përziejë luftën e UCK-së çlimtare, por të paraqitet si qytetari Thaçi e të japë dorë drejtësisë të veprojë e lirë”, tha ai.

Por, si e sheh idenë e bisedimeve në samitin e ardhshëm ku Kosova vijon të gjendet në një udhëkryq për rinisjen e dialogut, Andoni jep këtë përgjigje:

“Rasti i Kosovës është rasti ku po testohet kjo marrëdhënie e SHBA dhe BE. Nga 17 Korriku do mësojmë shumë gjëra , është takim i paraparë në Europë. …Jo më kot edhe Grenell , që dështoi në takimin e parë është duke nxituar për të shpallur datë e dytë që do jetë e ndërvarur me atë të 17 korrikut. Do të shikojmë do të mbaj administrata Trump drejtpeshimin apo do e marrë Bashkimin Europian. Serbisë i është bërë e ditur që fundorja e të gjithë aktivitetit të republikës së Serbisë , është njohja e ndërsjellë për Kosovën. Problemi i madh për ne është cilat do të jenë modalitet e zgjidhjes”, u shpreh Andoni .

Pas dështimit të bisedimeve të 27 Qershorit, të parashikuar për t’u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington,Samiti i Rradhës është ai i thirrur nga Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel. Prijës në këtë takim të tretë, që parashikohet të mbahet në Paris më 17 Korrik do të jetë Miroslav Lajcak, i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Synim kryesor ka dhënien fund të konfliktit dhe përshpejtimin e procesit midis dy vendeve drejt rrugëtimit EuroAtlantik.