Ende asnjë marrëveshje. Pas një nate të gjatë konsultimesh në formate të ndryshme midis liderëve europianë, pas ngërçit të djeshëm në ditën e tretë të punës së Këshillit Europian, samiti i Brukselit kushtuar Kornizës Shumëvjeçare Financiare dhe Fondit të Rimëkëmbjes do të vazhdojë edhe sot pasdite, pas orës 16:00. Në rifillimin e punës së samitit, i cili ka hyrë sot në ditën e tij të katërt, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, duhet të paraqesë një propozim të ri zyrtar, që do të bazohet në një alokim prej 390 miliardë eurosh grante, por me zbritje nga ai i mëparshmi.

Ky është më pak se 500 miliardë të projektit fillestar, i konsideruar i papranueshëm nga të ashtuquajturat vendet kursimtare, Holanda, Austria, Suedia dhe Danimarka, të cilave iu bashkua edhe Finlanda. “Michel nuk parashikoi asgjë tjetër, por tha që sot do të propozojë një zgjidhje me një ulje të granteve në 400 miliardë dhe 390 miliardë”, sqaroi kryeministri italian Giuseppe Conte. “Tani për tani po i afrohemi thelbit të vështirë të pozicioneve përkatëse dhe konfrontimi bëhet edhe më vendimtar”, shtoi ai.

Për sa i përket zgjidhjes së mundshme të qeverisjes së fondit të Rimëkëmbjes që eliminon mekanizmin e vetos në planet e reformave kombëtare, Conte saktësoi se “ne kemi drejtuar procesin e kontrollit dhe kontrollimit të përparimit të projekteve sipas një zgjidhjeje më të saktë dhe respektuese ndaj kompetencave të organeve të ndryshme të përcaktuara nga traktatet”. “Pas bisedimeve të vështira, ne mund të jemi të kënaqur me rezultatin që mund të arrijmë sot. Samiti vazhdon edhe sot pasdite”, deklaroi nga ana e tij kancelari austriak, Sebastian Kurz.