Një propozim i ri për një plan masiv rimëkëmbjeje post-COVID-19 iu paraqit sot drejtuesve europianë, të mbledhur në samit në Bruksel, duke dhënë premtime për vendet e ashtuquajtura “të kursyera”, të cilat bllokojnë çdo kompromis, Holanda në krye. Sipas një burimi europian, ky propozim i presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, nuk ka qenë i kënaqshëm për momentin për katër vendet në fjalë, Holandë, Suedi, Austri, Danimarkë dhe as për Finlandën. “Ky propozim është një hap në drejtimin e duhur. Arritja e një marrëveshjeje varet nga orët e ardhshme”, theksoi një diplomat holandez.
Para rifillimit të seancës plenare, ky propozim iu paraqit kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe homologëve të tyre, holandezit, Mark Rutte, spanjollit Pedro Sanchez dhe italianit, Giuseppe Conte. Qëllimi i këtij propozimi është të ndryshojë pozicionin e katër shteteve “të kursyera” duke u ofruar atyre lëshime, veçanërisht në shpërndarjen midis granteve dhe kredive, si dhe në kushtet që rregullojnë shlyerjen e parave.
Projekti i ri akoma parashikon një plan prej 750 miliardë eurosh, por tani i përbërë nga 300 miliardë euro kredi dhe 450 miliardë euro subvencione, që nuk do të duhet të paguhen nga përfituesit, nga 250 miliardë euro kredi dhe 500 miliardëe euro në subvencione fillimisht. Ai parashikon gjithashtu një mekanizëm që i mundëson një vendi që do të ketë rezerva në lidhje me planin e reformës të paraqitur nga një shtet tjetër, në këmbim të këtyre ndihmave, të hapë “brenda tre ditësh” një debat mes 27 vendeve të BE-së, para Këshillit Europian ose para ECOFIN, që mbledh ministrat e Financave të BE-së. “Kjo është fuqi de fakto e vetos për secilin vend. Për mua, ky është një gabim i madh sepse hap derën për më shumë keqkuptime”, komentoi Marta Pilati, nga Qendra e Politikave Europiane. Kjo ide i përgjigjet dëshirës së kryeministrit Hollandez Mark Rutte, i cili kërkoi të premten që këto plane kombëtare të miratohen unanimisht nga 27 vendet e BE-së.