1,191 miliardë lekë është fondi i paguar nga buxheti i shtetit për të subvencionuar bonusin e qirasë për vitin 2020 për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila tha se në total janë subvencionuar 11 bashki për bonusin e qirasë për vitin 2020.

Konkretisht bashkia Tiranë ka marrë 246,3 milionë lekë, bashkia Durrës 485,8 milionë lekë, bashkia Shijak 68,9 milionë lekë, bashkia Kavajë 20,5 milionë lekë, bashkia Rrogozhinë 1,3 milionë lekë, bashkia Krujë 146,6 milionë lekë. Po ashtu, bashkia Laç u subvencionua me 90,8 milionë lekë, bashkia Lezhë 26,1 milionë lekë, bashkia Rrëshen 5,1 milionë lekë, bashkia Vorë 85,8 milionë lekë dhe bashkia Kamëz 13,9 milionë lekë.