Presidenti amerikan Donald Trump është akuzuar nga opozita për përdorim të paligjshëm të parave të taksapaguesve për një spot televiziv që e lavdëron atë, vetëm disa javë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, një video 30-sekondëshe me Trump u transmetua të dielën gjatë ndeshjeve të futbollit amerikan. Në spot, presidenti shfaqet bardhë e zi, duke ecur në heshtje përgjatë një korridori dhe duke parë kamerën, ndërsa në sfond dëgjohen fragmente nga fjalimet e tij, ku ai sulmon “luftënxitësit”, “komunistët” dhe “mbrojtësit e një rendi të globalizuar”.

Videoja nis me frazën “Kjo është beteja e fundit”, ndërsa në fund të ekranit shfaqet shënimi: Paguar nga qeveria amerikane.
Spotit iu referua ashpër opozita demokrate, e cila pretendon se përdorimi i fondeve publike për një material të tillë përbën propagandë politike.

“Është e paligjshme që qeveria të përdorë paratë e taksapaguesve amerikanë për të financuar reklama politike. Kjo është propagandë dhe ju po e paguani faturën”, tha përfaqësuesi demokrat Mike Levin në një video të publikuar në X.

Edhe senatori demokrat John Hickenlooper e cilësoi videon si “propagandë” dhe “të paligjshme”.