Ish-futbollisti dhe drejtusi i Tiranës, Shkëlqim Muça, tashmë në rolin e analistit në emisionin “Rubrika Sportive”, veç të tjerash ka folur edhe në lidhje me hetimin e ndeshjes Bylis-Tirana e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Muça ka bindjen e plotë se në atë ndeshje kanë gisht disa lojtarë, të cilët sipas tij Halili duhet t’i kishte larguar.
“Nuk besoj se ka gisht presidenti, ai të paktën 2-3 kokrra duhej t’i këpuste, presidentët e të dy klubeve, nëse nuk kishin fare gisht, duhet t’i kishin këputur. Por duke thënë jemi të pastër, nuk kemi bërë asgjë, mbrojnë lojtarët.
Jam i bindur që e kanë bërë 3-4 lojtarë, nuk e ka bërë presidenti. Unë kam punuar me Halilin, ka 101 gjëra plus e minus, por të shesë ndeshjen nuk e bën asnjëherë, jam i bindur për këtë. Por që ta bëjnë të tjerët, këputi 2-3 kokrra, zhduki.
Asnjë nuk e dëshiron dënimin, por naiviteti që është treguar në atë ndeshje i bën të gjithë me përgjegjësi. Ne si kampionat jemi në focus të UEFA-s, janë disa kampionate që UEFA i sheh më shumë. Ata paguajnë 10-20 miliuonë euro vetëm për të bërë hetime. Kur kemi qenë në kurs, na ka bërë dy orë kurs një officer i UEFA-s që na ka thënë që jeni gjithmonë në vëzhgim të gjithë se targeti i UEFA-s është fiksimi i ndeshjeve”, ishin fjalët e Muçës.