Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndau disa momente nga takimet e shumta të zhvilluara në kuadër të vizitave të tij zyrtare në Kopenhagen dhe Stokholm me drejtues të komisioneve parlamentare për çështje të OSBE-së dhe Bashkimit Evropian, si dhe me udhëheqës të agjencive zhvillimore me kontribut të çmuar në zhvillimin e Shqipërisë, sikurse Agjencia Suedeze e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit (SIDA).
Në Kopenhagen, Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi takime me Kreun e Delegacionit Danez në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Peter Juel Jensen dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Integrimit, Eva Kjer Hansen. Ndërsa në vizitën zyrtare në Stokholm, Cakaj zhvilloi takime edhe me Zëvendëskryetaren e Parlamentit dhe Anëtare e Komisionit të Punëve të Jashtme, Kerstin Lundgren dhe Drejtoren për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe Amerikën Latine të Agjencisë Suedeze të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit (SIDA), Carolina Wennerholm.
“Thellimi i bashkëpunimit tonë në të gjitha nivelet institucionale mbetet i një rëndësie të posaçme jo vetëm për zhvillimin e mëtejmë të Shqipërisë, por edhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.” – theksoi Cakaj në përfundim të reagimit të tij.