Dikur një nga dokumentet më të fuqishme të udhëtimit në botë, fuqia e pasaportës amerikane është ulur nën pandeminë e koronavirusit, shkruan sot rrjeti i njohur informativ amerikan, CNN. Me rastet e koronavirusit në SHBA, kohët e fundit duke kaluar shifrën prej tre milionë, shumë kombe tani e shohin Amerikën pothuajse me frikë.

Pavarësisht se sa i duan fitimet nga turizmi, ata nuk janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun e hapjes së kufijve të tyre. Ndër vendet që lejojnë turistët amerikanë për pushime ndodhet edhe Shqipëria.

”Vendi përgjatë Adriatikut, Shqipëria rifilloi fluturimet tregtare ndërkombëtare që nga 15 qershori i vitit 2020. Nuk ka detaje specifike për sa i përket asaj që udhëtarët amerikanë mund të presin pas mbërritjes në Shqipëri, megjithatë, në faqen web të Ambasadës Amerikane thuhet se do të ketë personel mjekësor shtesë në të gjitha pikat e hyrjes si dhe ekzaminime dhe kërkesa të mundshme për karantinë.

“Udhëtarët duhet të jenë të përgatitur që kufizimet e udhëtimit të vihen në fuqi me pak ose aspak njoftim paraprak”, thuhet në të. Ndër vendet që pranojnë turistë amerikanë janë edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Meksika, Serbia, Turqia, Tunizia, ndërkohë që ndër vendet që i pranojnë këta turistë me kushte janë Kroacia, Egjipti, BM dhe Ukraina.