Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përsëriti thirrjen e saj për popullsinë për të treguar kujdes mëngjesin e së shtunës ndërsa Instituti i Shëndetit Publik përsëriti thirrjen për bizneset për të respektuar masat e distancimit fizik por thirrjet e tyre duket se nuk po sjellin ndonjë përmirësim të dukshëm dhe vatrat e virusit duket se po vijojnë të zgjerohen.
Shqipëria numëroi 67 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, një shifër më e ulët se sa dy ditët e mëparshme. Numri i të shëruarve ishte 45, gjë që do të thotë se numri i personave aktualisht bartës të virusit u rrit më tej në 1108 vetë, shifra më e lartë e regjistruar deri më sot.
Numri i personave të infektuar në raport me popullsinë arriti në 40 për njëqindmijë, shifër kjo shumë më e lartë se sa limiti prej 16 për njëqindmijë, i vendosur nga shumë vende për hapjen e kufijve, gjë që do të thotë se shqiptarët do të vijojnë t’i kenë kufijtë e mbyllur edhe për shumë kohë.