Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA.
“Me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta”, thekson Ruçi.
“4 korriku, si dita që shënon Deklaratën e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet dhe komb i pavarur, është një festë e madhe dhe e bukur jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për gjithë botën demokratike”, shton ai.
“Lindja dhe zhvillimi i Kushtetutës dhe i Demokracisë Amerikane është modeli i shkëlqyer i ndërtimit të një shteti demokratik dhe lider i botës demokratike, që jo vetëm mbron lirinë e vet, por lufton edhe për lirinë e të gjithë popujve; që jo vetëm ndërton demokracinë e vet, por nxit dhe mbështet valët e demokratizimit në të gjithë planetin; që jo vetëm krijon mirëqenie për kombin dhe qytetarët e vet, por kontribuon për mirëqenien e të gjithë kombeve dhe njerëzimit; që jo vetëm garanton sigurinë dhe paqen për qytetarët e vet, por ka sakrifikuar dhe sakrifikon bijtë e vet për sigurinë dhe paqen e të gjithë njerëzimit”, nënvizon Ruçi.
“Vendi im, Shqipëria, është një shembull i rrezatimit të rolit e kontributit të pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për lirinë, demokracinë, paqen, sigurinë dhe zhvillimin e mirëqenien e popujve. Gjej rastin të përsëris mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për Shtetet e Bashkuara, shpëtimtarët e kombit shqiptar, në momentet më kritike të historisë dhe mbijetesës sonë”, thotë Ruçi.
“Shqipëria është krenare për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë të kontribuojë në krah dhe nën udhëheqjen e tyre, si një anëtare aktive dhe e denjë e NATO-s, në aleancë më të gjithë botën demokratike, në mbrojtje të arritjeve të popujve për lirinë, demokracinë, paqen dhe mirëqenien”, vijon ai.
“Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të zgjerohet e fuqizohet dhe përfitoj nga ky rast për t’ju ftuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën tuaj”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e urimit drejtuar Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA.