Nga Skënder Minxhozi/
Nga Skënder Minxhozi/
Ka mjaftuar një listë prej 22 fletë-arrestimesh, lëshuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me dosjen 339 për vjedhjen e votave në zgjedhjet e 2017, e cila çoi në daljen nga Parlamenti të partive të opozitës – që të kuptojmë se kemi të bëjmë edhe një herë tjetër, me një histori banale shqiptare. Nuk është aq shumë problemi se 22 personat e akuzuar ndahen në mënyrë thuajse të barabartë mes tre partive politike kryesore, sesa fakti që me anë të këtij hetimi po shohim të shpaloset sërish nga e para filmi i vjetër i zgjedhjeve të menaxhuara keq në Shqipëri. Asgjë tjetër.
Tre qendra votimi në Durrës dhe devijimet e votave aty, kanë qenë ndër të tjera, në fokus të hetimeve që kanë çuar në arrestimet në fjalë. Janë tre qendra krejt anonime, që me siguri as banorët e lokaliteteve ku ato ndodhen, nuk jua dinë numrat me të cilët figurojnë në regjistrin e zgjedhjeve. E megjithatë janë tre mostra elektorale, që shërbejnë si prova materiale e asaj që dimë prej kohësh që s’mbahen mend: partitë që kanë numërues në komisionet e votimit, dalin mirë me llogaritë në fund të ditës. Kryesisht në kurriz të partive që nuk janë prezente në këto panele votimi.
Deri këtu historia e arresimeve të mësipërme nuk do të kishte ndonjë rëndësi të veçantë, nëse Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk do të ndërtonin mbi të teoremën më të zhurmshme, por njëkohësisht edhe më hipokrite të vjedhjes së fitores së 2017 nga maxhoranca, duke tundur në ajër dosjet 339 dhe 184.
Alibia që opozita kujtoi se gjeti tek dosjet e mësipërme kartën e artë të justifikimit të gjithçkaje i kishte vajtur ters qysh në krye të herës, kur nisën të humbin me Edi Ramën. Pasi firmosën të gjitha procesverbalet e zgjedhjeve të 2017, gjatë të cilave kishin edhe gjysmën e ministrave në qeverinë Rama, opozitarët kujtuan se gjetën formulën e kthimit të tunxhit në ar. Fjala vjen, Dibra nxorri 4500 vota diferencë mes PS dhe të tjerëve, megjithatë “fajin e kishte dosja 339”.
Një tiradë e gjatë dhe e lodhshme zhurme, krizash dhe situatash të skajshme, të gjitha të ngritura mbi pretendimin se socialistët kishin vjedhur zgjedhjet dhe provat kishin dalë sheshit. E thënë kjo nga një parti politike, e cila në vitin 2011 vodhi mandatin e bashkisë së Tiranës në sy të të gjithë shqiptarëve, mbi tavolinën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve!
Dosjet e akuzave ndaj 22 personave të përfshirë në hetimet e dosjes 339, e shfryjnë tërësisht historinë e ndërtuar keq, të vjedhjes së zgjedhjeve nga socialistët. Ato nuk shbëjnë kurrsesi fajin që mund të ketë PS në devijime apo përvetësime të caktuara votash, në Durrës dhe pjesë të tjera të territorit shqiptar. Socialistët nuk janë engjëj, por nuk janë as djajtë e vetëm të kësaj historie. Këtë tregon në mënyrë të thatë shifrore hetimi që po i drejtohet gjykimit, ku mjafton të shohësh pesëfishimin e votave nga ana e LSI në raport me vitin 2013, që të kuptosh se ata që bërtasin nuk janë gjithmonë ata që kanë të drejtë.
Arrestimet e fundit për dosjen 339, shënojnë “normalizimin” e saj, duke e futur në një hulli banale vjedhjesh nga hajdutë xhepash, të cilët gjallojnë rregullisht në të gjitha votimet shqiptare, që prej 30 vjetësh. Drama politike që u ndërtua mbi këtë dosje, shërbeu vetëm që PD të krijojë opozitën e Murrizit e Hajdarit, duke relativizuar veten dhe duke bërë me dëshirën e saj një autogol të hatashëm politik, që vazhdon ta paguajë. Këto arrestime na thonë se mbi dosjet e përgjimeve në fjalë nuk mund të ndërtohej dhe as të justifikohej piskama e revolucionit me shishe boje në dorë, që Basha u mundua të inicojë në vitin 2019.
Sa për dosjet 339 e 184 dhe “heroin” e tyre Damian Gjiknurin, ai është kthyer në bashkëbiseduesin zyrtar të PD-LSI, në diskutimet e fundit për reformën e votave. Ironike, por e vërtetë.