Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor fiton çmimin “Shërbimi Publik më i mirë i vitit” në Edicionin e 8-të të Albanian ICT Awards, gara mbarëshqiptare në nderim të inovacioneve, shërbimeve risi dhe arritjeve teknologjike. Një vlerësim i çmuar për DPSHTRR për ofrimin e shërbimeve për transportin dhe automotorizmin falë upgrade 100% të sistemeve operative, pajisjeve, teknologjisë moderne dhe digjitalizimit në ofrimin e lehtësive që impaktojnë qytetarët dhe subjektet. Në vitin 2020, DPSHTRR synon të tejkalojë 2,5 milionë shërbime ndër ato online e në sportele, pa rritur tarifa e duke modernizuar infrastrukturën fizike dhe virtuale drejt një shërbimi transparent e cilësor.

Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, u shpreh se çmimi i “Shërbimit Publik më të mirë” motivon ekipin dhe institucionin për të vijuar revolucionin digjital që ka nisur në DPSHTRR me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve duke kursyer kohë, radhë dhe para. Një transformim i cili është realizuar ndër të tjera falë bashkëpunimit me AKSHI-n dhe mbështetjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.