Drejtoria e Shërbimeve të Transportit rrugor në Berat do të ketë së shpejti një godinë të re, të cilën Kryeministri Edi Rama e cilëson “një nyje teknologjike shërbimi të standardeve europiane, në rrjetin e institucionit kampion të revolucionit dixhital”. Kreu i qeverisë duke publikuar disa fotografi sesi është aktualisht kjo godinë dhe si do të transformohet theksoi se “kjo është Drejtoria e Shërbimeve të Transportit rrugor në Berat, ku për pak kohë hapet kantieri i godinës së re, pasi janë kryer të gjitha procedurat nga projektimi tek prokurimi. E postoj këtu si një nga mijëra shembujt që duhet t’u kujtojnë disave se çfarë shtëpie me rraqe të vjetra, pisllëk e rrënim trashëguam 7 vjet më parë dhe se sa shumë gjëra kemi bërë, po bëjmë e duhet të bëjmë akoma, për ta sjellë të gjithën në terezi”.

“I kuptoj shumë mirë padurimin, harresën po edhe kritikat e drejta për shumëçka duhet bërë edhe më mirë, edhe më shpejt, por një gjë nuk do të lodhem së nënvizuari: Sot shtëpia jonë e përbashkët s’ka të krahasuar me dje, në asnjë aspekt dhe fakti që ne e dimë shumë mirë jo vetëm çfarë, po edhe si duhet bërë më tej, tregon se jo nuk jemi të gjithë njësoj”, – nënvizoi Rama.

Se, vijoi Kryeministri, po të ishim njësoj, do ishte njësoj edhe shërbimi i transportit rrugor shqiptar, ku qindra mijëra njerëz kanë pasur nevojën të ndalen për letrat e automjeteve të tyre dhe kanë mundësinë të bëjnë krahasimin, mes tmerrit të deridjeshëm në llumin e zullumin e këtij shërbimi publik, e transformimit shembullor që vazhdon sot. “Projekti bashkëlidhur, që shumë shpejt do të pasohet nga rindërtimi me themel i selisë qendrore të DPSHTRRSH-së, nuk është thjesht një godinë e bukur, po një nyje teknologjike shërbimi të standardeve europiane, në rrjetin e institucionit kampion të revolucionit dixhital, ku qytetarët drejtues të automjeteve shërbehen pa zvarritjet e bakshishet e majme, që e bënin deri dje kampion të korrupsionit këtë institucion”, – tha Rama .