Nga Alfred Peza/
Kur lexon lajmet në mediat pranë opozitës, duhet të bësh kujdes për të kapur nuancat për shkak se në to ka rryma pro e kundër Bashës, pro e kundër Berishës dhe pro e kundër Metës. Ndaj kur lexon se “ndryshe nga herët e tjera, Presidenti Ilir Meta e ka pritur Kryetarin e PD Lulzim Basha, në sallën ceremoniale ku pret vetëm Presidentë e Kryeministra”, mendon se dikush po kërkon të tallet publikisht me kryetarin e opozitës.
Por, kur më pas mëson se Lulzim Basha vetë është shprehur për këtë takim, se “ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm”, atëherë kupton se gjerat qenkan më serioze se duken. Ndaj fillon e kalon në revistë, zhvillimet që lidhen me këtë argument, të cilat i bëjnë opozitarët tanë që ta kenë seriozisht këtë çështje.
Po ta shohësh me syrin e opozitarëve, duke patur pak mirëkuptim, do të shohësh së nuk kanë edhe aq faj, kur thonë se Lulzim Basha tashmë është “de facto”, Kryeministër i Shqipërisë!
Pas zgjedhjeve të përgjithshmë lokale të 30 Qershorit 2019, megjithëse humbën të gjitha bashkitë e vendit, liderët e opozitës sonë festuan. Sepse në fakt, ajo që kishte ndodhur për ta, nuk ishte ashtu siç na dukej ne. Lulzim Basha vërtetë i kishte nxjerrë gjithë opozitarë në rrugë, por ama kishte fituar. Thellë madje. E mbani mend besoj, kur shpalli se kishte mbështetjen, e 85% të qytetarëve shqiptarë!
Kaq mjaftoi për ti bërë militantët krenarë se më në fund, kauza e tyre kishte fituar! Ndaj, pritën që të ikte vera dhe me padurim, sa të vinte vjeshta. Por, për çudinë e tyre, në Parlament nuk u rikthyen deputetët që dogjën mandatet megjithëse kishin fituar me 85%, por të njëjtët e deputetët e opozitës së re që i kishin zënë vendin atyre. Ndërsa Lulzim Basha, vijoi të qëndronte si edhe më parë, në rrugë.
Iku 2019 dhe kur hyri 2020. Përfaqësuesit e PD dhe LSI që kishin fituar 85%, e lanë bojkotin për tu rikthyen në tryezën e Këshillit Politik për reformën elektorale. Pasi u firmos edhe marrëveshja e 5 qershorit, megjithëse drafti ende nuk është miratuar në Parlament për ti hapurr rrugën fushatës për zgjedhjet e pranverës së 2021, erdhi një fitore e re e papritur.
Gazeta “Shqip” në versionin e vet online, hapi një sondazh ku i ftonte lexuesit që të votonin nëse pas zgjedhjeve të ardhshme, Kryeministër do të ishte Edi Rama apo Lulzim Basha. Kaq u desh dhe o burra i sulën militantët për të bërë sa më shumë klikime. Si përfundim, na e bënë Lulzim Bashën Kryeministër, në internet. Këtë rezultat e mori dhe na e shpalli në facebookun e tij Sali Berisha. Kaq duhet që për opozitarët ky të jetë realitet.
Aq shumë i dhanë hapësirë dhe rëndësi mediat e djathta, kësaj loje qesharake që duket si një nga ato tregimet e Kafkës, sa u ekzaltuan të gjithë. Ndaj në çdo debat serioz televiziv, liderët dhe politikanët e opozitës, nisën ta përdorin si kryeargument se Lulzim Basha ka mbështetjen e shqiptarëve. Pasi e paskan votuar në internet, mezi sa po priskan pas kësaj zgjedhjet, që ta kurorëzojnë edhe Kryeministër të Shqipërisë.
Ajo që i vuri vulën përfundimtare kësaj historie, nuk paska qenë vetëm fakti se “nëpërmjet këtij devijimi nga protokolli” Ilir Meta e paska patur këtë një lëvizje “të qëllimshme dhe aspak rastësore”. Përkundrazi, puna qenka edhe më e thellë. Paska dashur të na japë një mesazh shumë të qartë: I ka treguar Lulzim Bashës pikturën e Beslidhjes së Lezhës, që ndodhet pikërisht në qendër të sallës ceremoniale, që Kreu i Shtetit përdor për pritjen e personaliteteve më të larta shtetërore vendase dhe të huaja!
Kur lexon e dëgjon lajme të tilla, njeriu i shkretë patakset aq shumë sa zë e pyet: Ilir Meta e paska pritur që e paska pritur Lulzim Bashën në sallën e Kryeministrave? Po. Ne të tjerëve, na paska dhënë që na paska dhënë edhe një mesazh? Po. I ka treguar që i paska treguar edhe pikturën e Beslidhjes së Lezhës duke i vënë vulën kësaj historie? Po.
Pse nuk thoni ju që paska mbaruar kjo punë! E paska që e paska Ilir Meta dhe jo qytetarët shqiptarë me votë, këtë punë në dorë? Përse Presidenti nuk i këput atëherë edhe një firmë, e të na e dekretojë këtë Lulzim Bashën që tani Kryeministër?! Jo për gjë. Po kush rri e pret edhe 10 muaj të tjerë, sa të shkojmë në votime!