Petrit Vasili, mjeku që dje iu vërsul me fyerje nga më të ulëtat shefes së shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Najada Çomo ka bërë sot një “zbulim” të jashtëzakonshëm. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Petrit Vasili, ish Ministër i Shëndetësisë dhe mjek për nga profesioni, ka lëshuar akuza kundër Ministres së Shëndetësisë. Sipas tij, ministrja ka gënjyer kur ka thënë që janë kryer 8020 teste serologjike, pasi nga një lexim që “doktor” Vasili paskësh bërë në deklaratat e Ministrisë, numri i testeve të kryera është sa gjysma.

Dhe në fund, duke vazhduar në traditën e fyerjes së kolegëve të tij, Vasili pyet ministren, se mos “gënjen” ngaqë e gënjejnë vartësit. Po si qëndron e vërteta, të cilën Petrit Vasili o nuk e di, duke shpalosur paaftësinë, ose e shtrembëron, duke shpalosur prirjen për dezinformim të qytetarëve, dhe përdorimit për qëllime politike të situatës. Nga një interesim që ne bëmë pranë laboratorit ku kryhen analizat e serologjisë në QSUT, çdo person duhet të kryejë dy analiza të tilla, të ashtuquajturat “igG” dhe “igM”, sipas specialistëve. Po sipas tyre, duhet që të kryhen këto dy teste për të mbërritur në një konkluzion. Dhe ministrja Manastirliu, në daljen e saj publike është shprehur “janë kryer 8020 testime”, dhe jo “janë testuar 8020 persona”.

Këtë gjë e konfirmon edhe Prof. Prof. Vjollca Duro nga Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT. Ajo është prononcuar për portalin Balkanweb, ku ka konfirmuar se janë kryer mbi 8 mijë testime serologjike. “Deri dje, më datë 7 Korrik 2020 në laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 8020 testime serologjike (IgG IgM) që do të thotë testime të kryera në 4010 individë. Testimi serologjik për SARS COV2 përfshin testimin për antitrupat IgG dhe IgM, pra siç kuptohet qartë, një person kryen dy teste serologjike për antitrupat ndaj SARS COV2”, është shprehur prof. Duro. Ndaj mjeku dhe ish Ministrit Vasili, i cili që nga fillimi i pandemisë nuk ka lënë rast pa goditur sistemin shëndetësor që dikur drejtonte, këtë mëngjes ka reaguar me një shënim të goditur edhe profesori i mirënjohur Tritan Kalo. Ky i fundit, i indinjuar nga fyerjet dhe fjalët e ulëta në kufijtë e rrugaçërisë, që Petrit Vasili lëshoi një ditë më parë ndaj shefes së Shërbimit të Sëmundjeve Infektive, Najada Çomo, ka bërë një postim ku mes të tjerash shkruan:

“KEQARDHJE për disa kolegë, që në këto ditë të një “FLAME MBARËBOTËRORE” të Sars-Cov2/Covid-19, të verbuar nga ethet për PUSHT-SHTET janë lënduar disi edhe mendërisht, duke e humbur fillin e një reagimi deontologjikisht të pranueshëm edhe nga “BETIMI i HIPOKRATIT”, i busullës orientuese të jetës profesionale të çdo MANTELBARDHI… NËSE profesionalisht apo fizikisht NUKU e keni mundësinë e kontributit për zgjidhjen sa më racionale të këtij ekuacioni Sars-Cov-2/Covid-19 me shumë të panjohura, më së paku mllefet e juaja politke ose ato të mos plotësimit të karierës suaj të dëshiruar socio-profesionale MOS i zbrazni në kurrizin tonë, në kurrizin e atyre, që rrezikojnë për çdo sekondë jetën e tyre për t’u dhënë shpresë e ndihmë të sëmurëve të prekur nga kjo “flamë” – shkruan Kalo.