Eksportet bujqësore po vijojnë trendin e rritjes progresive, kryesisht drejt tregjeve europiane e më gjerë. Eksporti i fruta-perimeve, për muajin qershor 2020, u rrit me 16.4% krahasuar të njëjtën periudhë një vit më parë, bëjnë të ditur statistikat zyrtare, të publikuar sot nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.Lidhur me këtë fakt, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi shprehet se “Rritja e eksportit të fruta-perimeve nuk është aspak e rastësishme, por rezultat i politikave tona mbështetëse për sektorin bujqësor”.
Sipas tij “trendi rritës i eksportit ka vijuar që prej muajve të parë të këtij viti duke mos u ndikuar nga kriza e shkaktuar prej pandemisë së COVID-19”. Shifrat e muajit qershor 2020 janë vërtet impresionuese, shprehet ministri. Në prodhimin e përgjithshëm bujqësor, 4 kategoritë kryesore me rritjen më të madhe të eksporteve për muajin qershor 2020, krahasuar me qershorin 2019 janë: Kajsitë, qershitë, pjeshkat, nektarinat, kumbullat, eksporti i të cilave u rrit me 179.4 % krahasuar me qershorin 2019.
Eksporti i patates u rrit me 296.0% gjatë këtij muaji dhe kastravecat e zakonshëm dhe ato të vegjël u rritën me 358.5%. Eksporti i lakrës, lulelakrës, rrepës së bardhë dhe produkteve të tjera u rritën e 147,1%. Në total eksportet bujqësore për muajin qershor 2020 shënuan rritjen prej 16.4% ose në sasinë e 30 769 tonëve, bëjnë të ditur statistikat e ministrisë së Bujqësisë .