Partitë shqiptare fituan 33 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, si asnjëherë më parë. Bashkimi Demokratik për Integrim është fitues në kampin shqiptar me 15 deputetë. Zgjedhjet e parakohshme të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut sollën një rezultat mjaft të mirë për partitë shqiptare. Pozicioni dhe ndikimi i tyre në parlamentin e ri me 120 vende është rritur. Votimet u mbajtën në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Por, kjo nuk ndaloi qytetarët, të cilët sfiduan frikën duke dalë në zgjedhje për t’i dhënë formë Parlamentit të ri të Maqedonisë së Veriut. Si asnjëherë më parë, në spektrin politik shqiptar pati dy risi: Lëvizja Besa hyri në koalicion parazgjedhor me një parti të madhe maqedonase dhe Bashkimi Demokratik për Integrim doli me kandidatin e parë shqiptar për kryeministër.

Emri i propozuar për të realizuar këtë ëndërr është Naser Zyberi. Lindur në komunën Sarajit në Shkup, 59-vjeçari i diplomuar në Universitetin e Prishtinës për drejtësi është një figurë e zgjedhur mirë nga BDI. Nga viti 1990 deri në 2002, Zyberi ka shërbyer për 3 mandate radhazi në parlamentin maqedonas si deputet nën logon e Partisë për Prosperitet Demokratik. Gjithashtu, ka shërbyer edhe si Ministër i Punës dhe Politikës Sociale, zv.Kryeministër i Maqedonisë së Veriut si dhe është bashkëpërpilues i Marrëveshjes së Ohrit. Këtij kontributi kërkon t’i shtojë edhe një tjetër, përparimit të të drejtave të shqiptarëve si dhe përshpejtimin e rrugës së anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian si dhe rritjen ekonomike. Duke marrë shkas nga vendimi i BDI-së, fushata elektorale e shkurtër dhe e kufizuar në Maqedoni të Veriut do të përqëndrohej kryesisht në çështje etnike. Por, çfarë e shtyu BDI-në që të ndërmerrte këtë hap historik? Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së, tha: “Shqiptarët e kanë dhënë provën që mund të jenë të parët, siç është rasti i kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Kësaj radhe kemi propozuar kandidat shqiptar për kryeministër”.

Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, paçka se shprehin dëshirën që shqiptarët në Maqedoni të Veriut të fitojnë më shumë të drejta dhe që zëri i tyre të jetë më i fuqishëm, janë shumë skeptikë për nismën e BDI-së. Sipas tyre, kandidati për kryeministër ishte thjesht një mjet për të thithur sa më shumë vota. Partitë shqiptare në total zotërojnë 33 deputetë nga 120 që janë gjithsej. Por, këto mandate janë të shpërndara në 4 grupime të veçuara politke. Natyrisht, nëse do të garonin në një parti, numri i përfaqësuesve do të ishte edhe më i lartë, por çfarë i pengon ato të bëhen bashkë? Mexhiti tha: “Një parti e vetme politike shqiptare është e dëmshme. Shqiptarëve në Maqedoni u duhet një parti në qeveri dhe një parti në opozitë. Ndërsa Elmedin Memishi, nga lëvizja BESA, thekson: “Kemi apeluar gjatë ndryshimeve kushtetuese të kemi një unifikim të të gjitha partive shqiptare, por fatke qësisht nuk e panë të arsyeshme që të uleshim e të bashkëbisedonim për interesat e shqiptarëve”. Menjëherë pas zgjedhjeve, Bashkimi Demokratik për Integrim u zgjati dorën e bashkëpunimit partive të tjera shqiptare, për të realizuar ëndrrën e një komuniteti të tërë.

Lidhja Socialdemokrate e Zoran Zaev, edhe pse pjesë në përbërje të koalicionit parazgjedhor ka një parti shqiptare, nuk do të kursehej në deklarata kundër propozimit të BDI. Madje do të propozonte se do t’i falte deputetë opozitës së VMRO-DPMNE, vetëm që Maqedonia e Veriut të mos ketë një kryeministër shqiptar këtë mandat. Të njëjtën gjë ofroi edhe Hristian Mickovski. “Jam i gatshëm që në bashkëpunim me deputetët tanë, t’i japim 13 deputetë VMRO-DPMNE-së, pasi aq do t’i duhen për të formuar qeveri të pakicës, në rast se BDI-ja kushtëzon formimin e qeverisë me kërkesën për kryeministër shqiptar”, tha Zaev. “Ne do të kemi shumicën dhe nuk do të lejojmë asnjë kushtëzim nga partitë e tjera. Dihet se kujt i takon kryeministri në këtë shtet”, nënvizoi Mickovski. Shqiptarët në Maqedoni të Veriut e pranojnë se është bërë mjaft përparim dhe kanë arritur të drejta historike si dygjuhësia, por jashtë kamerave shprehen se i druhen një reagimi të padëshiruar të maqedonasve në rastin e një kryeministri shqiptar. Historia u justifikon frikën, pasi në rastin e 27 prillit të vitit 2017, kur Talat Xhaferi, një shqiptar, zgjidhej për herë të parë në drejtim të Kuvendit, dhu na dhe urr ejtja ndaj shqiptarëve thuajse çoi në lu ftë civile. Ambiciet janë të mëdha, çmimi për realizimin e tyre ka qenë i lartë. Por, komuniteti shqiptar në Maqedoni të Veriut gjithmonë ka lu ftuar. Pa u dorëzuar, deri në realizimin e ëndrrës. (A2)