Bruno Fernandes e ka cilësuar Cristiano Ronaldon si lojtarin më të aftë që e ka parë ndonjëherë, përderisa e ka lavdëruar edhe bashkëlojtarin e tij në Manchester United, Marcus Rashfordin. Mesfushori portugez u transferua në Manchester Unitedit gjatë afatit kalimtar të janarit, kur Djajtë e Kuq e transferuan atë nga Sportingu i Lisbonës. Që nga atëherë, ai ka arritur të shpallet dy herë lojtari i muajit në Premierligë.

Fernandes kishte bërë të ditur më parë se kishte biseduar me Cristiano Ronaldon para se të transferohej në Old Trafford, ndërsa tani ka bërë të ditur se e konsideron bashkëkombësin e tij si futbollistin më të aftë. “Lojtari më i aftë që e kam parë? – Cristiano, më shumë në vitet e para të karrierës së tij, kur ishte edhe ndër më të aftit në botë”, ka thënë Fernandes.

“Mendoj se ai e ka ndryshuar paksa stilin e vet të lojës, por ai është ende një lojtar kundër të cilit është shumë e vështirë të mbrohesh”.

“Për mua, nga të gjithë lojtarët me të cilët kam luajtur dhe të cilët i kam pasur kundërshtarë, mendoj që Cristiano është lojtari më i aftë që e kam parë ndonjëherë”.

Më tutje, portugezi e lavdëroi bashkëlojtarin e tij në Manchester Unitedit, Marcus Rashford, i cili këtë sezon i ka shënuar 21 gola për Djajtë e Kuq.

“Mendoj se Rashford ka një shpejtësi të mrekullueshme dhe ka cilësi të jashtëzakonshme. Është e vështirë nganjëherë të jesh cilësor kur je aq i shpejtë dhe t’i marrësh vendimet e duhura, pasi që duhet ta gjej momentin e duhur për ta goditur topin, për të pasuar apo për të bërë ndonjë trik”, shtoi Bruno.