Ish-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e BE-së, Fleckenstein, deklaroi sot se akuzat ndaj tij se është blerë nga qeveria janë të pavërteta.I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, këshilltari i kreut të Kuvendit, Ruçi, tha se disa politikanë shqiptarë nuk janë të kënaqur me të megjithatë shtoi se e gjitha bëhet për Shqipërinë.

“E di që disa politikanë në këtë vend nuk janë dhe shumë të kënaqur me mua, sepse duhet t’i kisha nxjerrë më në pah sipas tyre gabimet e qeverisë, por kam takuar disa prej tyre edhe tani, por dua t’i tregoj se e gjitha bëhet për Shqipërinë për institucionet apo për parlamentin. Dhe kjo është një prej intervistave të mia të fundit që do të bëj, sepse mendoj se do të bëj një punë të mirë, nëse do të qëndroj prapaskene. Unë nuk kam asnjë përgjigje për disa komente të paqena ‘se më kanë blerë’ apo diçka të tillë, pasi nuk janë aspak të vërteta.” – tha Fleckenstein.Ai shtoi se njerëzit kanë mendime të ndryshme por akuzat se është i blerë nuk janë bërë asnjëherë nga njerëz seriozë. Fleckenstein pohoi se mund të kishte gabimet e veta por kurrsesi nuk ishte i shitur.

“E pranoj faktin që njerëzit kanë mendime të ndryshme, madje ka nga ata që mund të thonë që unë e kam gabim, kjo është diçka për të cilën unë mund të diskutoj me ta, të jap argumentet e mia, t’i bind madje, por këto akuza janë totalisht pa kuptim, nuk mund të më blejnë mua dhe këtë nuk e kam dëgjuar asnjëherë nga njerëz serioz, kështu që nuk më ndikojnë aspak fjalët e këtyre kritikëve, sepse janë totalisht të pavërteta. Mund të më thuash gjithçka për mua, që mund ta kem gabim por ‘të më blesh’ mua kjo është totalisht pa kuptim. Në asnjë mënyrë.” – shtoi ai.