Nga ALfred Peza/

Mosshkarkimi nga ana e mazhorancës socialiste, i Presidentit të Republikës në përfundim të hetimit parlamentar për antikushtetueshmërinë e çdekretimit të zgjedhjeve lokale nga ana e Ilir Metës dhe mos zhvillimi i ceremonisë së betimit të një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, nuk tregon fuqinë e opozitës. Aq më pak, dobësinë e mazhorancës qeverisëse.

Zhvillimet politike nuk janë thjeshtë një ndeshje bajlozësh për jetë a vdekje mes individësh, liderëve apo partive, por një proces shumë më kompleks i shtetformimit modern, hedhjes shtat të institucioneve dhe pjekurisë demokratike të vendit. Ndaj, për të gjykuar mbi këto procese, duhet të distancohemi nga emocionet e momentit dhe nga gjykimet partizane.

Zhvillimet duhen parë në një kontekst shumë më të gjerë sesa thjeshtë dhe vetëm mandatet e disa deputetëve, të disa kryetarëve të bashkive apo të Presidentit të Republikës. Pasi kemi lënë pas një tranzicion të dhimbshëm, Shqipëria gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit ndodhet në kulmin e një procesi të jashtëzakonshëm transforimi për të ardhmen europiane, duke patur në themel të saj Reformën në Drejtësi.

Ecuria e ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë dhe frikërat nga pasojat që ajo po sjell, kanë diktuar ritmet e zhvillimeve kryesore në vend. Djegia e mandateve të deputetëve, dalja nga Parlamenti, bojkotimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nga opozita dhe çdekretimi i tyre nga ana e Presidentit të Republikës, qëndrojnë në themel të këtij procesi. Këto zhvillime dhe pozicionimi i palëve në pro dhe kundër tyre, i vunë vulën identitetit të këtij mandati 4 vjeçar politik.

Qëllimi i vetëm i daljes së “Opozitës së Bashkuar” nga sistemi politik dhe demokratik i vendit, ka qenë delegjitimimi i Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 2017 që e bëri Partisë Socialiste fituesen e vetme për të qeverisur e vetme, përballë të gjitha partive të tjera në Shqipëri. Delegjitimimi i Parlamentit do të sillte për pasojë, jo vetëm delegjitimin e mazhorancës socialiste dhe qeverisë sa saj, por mbi të gjitha rënien e institucionit të zgjedhjeve. Duke futur në kolaps, demkoracinë tonë funksionale.

Ishte kjo arësyeja se përse Partia Socialiste, për të shmangur një skenar ogurzi që do ta bënte vendin të paqeverisshëm për vitet në vijim, ishte e vendosur për ti zhvilluar zgjedhjet e 30 Qershorit. Institucionet tona e përballuan në kohë këtë goditje fatale ndaj rendit tonë kushtetues, duke i dhënë hapësirën e merituar ligjore, përfaqësuesve të opozitës së re në Parlament dhe duke tejkaluar shkeljen kushtetuese të Ilir Metës, me çdekretimin e zgjedhjeve.

As “dekreti i zgjedhjeve të 13 tetorit” që tentoi të bllokojë proceset demokratike, as tërmeti shktërrimtar i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë dhe as pandemia globale që na ka përfshirë, nuk mundën që të ndalnin ecjen përpara të vendit, përmes funksionimit të të gjitha institucioneve dhe pushteteve. Ndërkohë sistemi i ri i drejtësisë ka vijuar ngritjen dhe forcimin e pandalshëm, duke dhënë shpresë më shumë se kurrë, se asgjë nuk mund ta bllokojë dot më.

Shqipëria ka kaluar shumë sfida përgjatë këtyre tri dekadave të postkomunizmit, përpjekjeve të saj për stabilitet politik dhe krjimin e një sistemit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Vitet e para 1991- 1992, ato të trazirave antifajde të 1997-1998, përpjekjeve për një marrëveshje të re për vendosjen e paqes sociale afatgjatë më 2001- 2002, u mendua se ishin tejkaluar tashmë, pas tri rrotacioneve normale të pushtetit çdo 8 vjet mes mazhorancave dhe opozitave.

Partia Socialiste përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë historik, ka qenë jo vetëm forca më e madhe politike në Shqipëri, por edhe partia që gjithmonë ka vendosur interesat e vendit mbi ato të pushtetit të saj. Duke vënë Shqipërinë, mbi partinë. Interesin kombëtar, mbi atë partiak. Të ardhmen e vendit, mbi kalkulimet e vogla për përfitime partiake të momentit. Duke dëshmuar një koherencë, vizion dhe përgjegjësi për të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve të vet.

Ishte kjo edhe arësyeja se përse PS nxiti krijimin e Këshillit Politik si një mekanizëm për të rikthyer opozitën e rrugës në sistemim politik e demokratik të vendit. Arritja e marrëveshjes së 5 qershorit për reformën e re zgjedhore dhe votimi i saj në Parlament, janë treguesi i forcës së kësaj mazhorance. Sikundër edhe vendimi për mosshkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, dëshmon forcën e PS, për të ecur përpara përmes korigjimit të sistemit dhe forcimit të institucioneve në të ardhmen.

Historia jonë e largët dhe e afërt, na mëson se sado dëme që mund ti kenë sjellë vendit liderët e veçantë në një periudhë të caktuar, ato vetë janë të përkoshëm. Sepse individët shkojnë dhe vijnë, ndërsa institucionet mbeten. Forca e PS nuk qëndron tek dobësitë e Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Lulzim Bashës dhe e Sali Berishës. Por tek kontributet e saj reale, për fuqizimin e sistemit demokratik dhe ecjen përpara të integrimit të Shqipërisë europiane. (Alpenews.al)