Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur sot se është shtyrë deri në fund të muajit shtator afati për aplikim nga ana e bizneseve për të përfituar nga Garancia Sovrane II. Ky afat, i cili pritet të përfundonte më datë 2 gusht, sipas ministres Denaj, është shtyrë deri në fund të shtatorit. Denaj tha se ky vendim erdhi pasi procesi ka një ecuri të ulët, pasi kërkohet një analizë më e madhe nga ana e bankave dhe një projeksion 5 vjeçar nga ana e bizneseve, për të përfituar nga garancia prej 15 miliardë lekësh e vënë në dispozicion nga qeveria për kapital qarkullues dhe aktive fikse.
Denaj tha se deri tani kanë përfituar nga Garancia Sovrane II, 119 biznese për një shumë prej 6.5 miliardë lekësh. “Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit me interes, që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5% dhe periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh”, u shpreh Denaj. Përmes kësaj garancie, tha ajo, shtojmë mundësitë për likuiditet, plotësojmë nevojat për kapital qarkullues dhe investime me garanci 60% nga shteti shqiptar dhe ju sigurojmë një periudhë shlyerjeje 5-vjeçare.