Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se me votimin e ndryshimeve kushtetuese “vumë gurin e themelit më të rëndësishëm në mundësimin e votës jo vetëm për partinë dhe për liderin, por dhe për deputetin”.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese sot në Kuvend, në një intervistë televizive, Spiropali tha se “ne nuk e shohim si një mbyllje kapaku, përkundrazi e shohim si krijimi i mundësive të reja në skenën politike shqiptare dhe besoj se ishte një votim historik sot në Kuvendin e Shqipërisë ku iu hap rruga demokratizimit të mëtejshëm të procesit zgjedhor në Shqipëri”.

Në lidhje me reagimet e opozitës, Spiropali tha se ishin të pritshme reagimet dhe kërcënimet. “Patjetër në rast se ulesh në tryezë dhe pret që pushteti të të jepet aty, apo nëse pret që reformat zgjedhore apo ndryshime ligjore do të mundësojnë të vish në pushtet pa ide, pa lider, pa punë, patjetër që do kërcënosh. Por në fakt ato kërcënime janë dëshmia më e qartë se sa e dëshpëruar është opozita shqiptare, sepse nuk ka mbërritur të krijojë as frymë dhe as mbështetje te qytetarët”, theksoi Spiropali.

Duke folur për listat e hapura, Spiropali tha se “në ndryshimet kushtetuese nuk përcaktohen detajet e hapjes së listave apo koalicioneve, por vetëm se sanksionohet se jo më pak se 2/3 e listës duhet t’i nënshtrohet votimit preferencial. Pra, thënë shkurt, qytetarët shqiptarë të kenë mundësi që përmes ndryshimeve në ligj edhe në Kodin Zgjedhor, me këto ndryshimet kushtetuese të votojnë jo vetëm partinë, por dhe deputetin, pra një hap më tej në demokratizimin e procesit zgjedhor, duke iu hequr një peshë të madhe kryetarëve të partive për të vendosur renditjen e deputetëve”.

“Ne e kemi mundësuar sot në Kuvend me 106 vota dhe i kemi bërë ftesë të hapur opozitës jashtëparlamentare të vijë të ulet në tryezë që këto risi kushtetuese të përkthehen edhe në legjislacionin e zgjedhjeve”, tha ajo.