Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri pas mbledhjes së Këshillit Poltik, deklaroi se opozita jashtëparlamentare nuk ka arritur që të bjerë në një gjuhë konsensusi me PS-në, teksa po përpiqet që të zvarrisë procesin dhe ta bllokojë atë.
Ai i bëri thirrje opozitës që të sjellë një model nga një vend evropian, që i ngjason sistemit tonë zgjedhor, ndërsa deklaroi se opozita parlamentare ka ofruar kompromis për qëndrimet e saj.
“Pas një mbledhje të gjatë, opozita jashtëparlamentare, ndodhet në të njëjtat qëndrime bllokues, me qëndrimin e vetëm, të bllokimit me çdo kusht të implementimit të kushtetueses. Së pari u konstatua fare qartë se amendimet kushtuese dhe vet ata nuk japin asnjë argument përtej kushtit të pa negociueshëm, që thonë se ne duam që koalicionet të jenë në formën që janë. U konstatua që amendimet kushtetuese nuk pengojnë as hapjen e listave 100% dhe koalicionet parazgjedhore. PD ka qëllimin e taktikës bllokuese dhe zvarritjen e këtij procesi. Opozita parlamentare ka ofruar kompromis edhe sot me qëndrimet e saj. Ata janë në të njëjtin pozicion, opozita jashtë. Ata thonë se shqetësimi jonë nuk është çështja e hapjes së listave, por kanë çështjen e koalicioneve. Iu kemi thënë që të zgjedhin një model ku paraqitet lista e kandidatëve, nga vendet që kanë këtë sistem. Një model është dhënë shembull nga PS, që ka qenë Letonia. Në mos Letonia, Holanda. Të gjejnë një model të një vendi perëndimor në këtë sistem dhe ne jemi të gatshëm që ta formulojmë në atë mënyrë koalicionin. Koalicioni lejohet, të marrin një shembull nga një vend i Be. Kjo është formula e kompromisit. Ne do marrim një model që e njeh këtë.”, tha Gjiknuri.